Apple ka përshpejtuar punën për ndërtimin e makinës elektrike dhe sipas “Wall Street Journal”, kompania u ka kërkuar punonjësve të saj që kjo makinë të jetë gati në vitin 2019.

2019-ta është një vit më herët sesa plani fillestar për përfundimin e këtij projekti.

Burime nga kompania thonë se projekti është koduar me emrin “Titan”. Raportohet se grupit fillestar prej 600 punonjësish u janë bashkuar të tjerë inxhinierë me emër në fushën e prodhimit të automjeteve për të përshpejtuar procesin.

Sipas “Wall Street Journal”, ky projekt është një sfidë për kompaninë amerikane, e cila nuk ka përvojë në këtë sektor dhe 2019 është vendosur për të treguar se sa rëndësi ka projekti “Titan” për të.

Ndryshe nga sa ishte thënë deri më tani, raportohet se makina nuk do të jetë krejtësisht autonome, por kjo s’do të thotë se kompania ka hequr dorë nga kjo ide. Në forumet e teknologjisë thuhet se kompania ka në plan ndërtimin e një automjeti krejtësisht autonom, por për një periudhë më afatgjatë se 2019.

Top Channel