Thaçi: Të votojmë gjykatën. Minoriteti serb, vullnet për të votuar FAK-un

03/08/2015 00:00

Në fjalën e mbajtur pasditen e së hënës në punimet në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, pasi bëri një rezyme të shkurtër që prej daljes në skenë të UÇK-së, e deri në marrjen e pavarësisë, u kërkoi deputetëve të votojnë ngritjen e gjykatës speciale.

“Deputetë të nderuar, qeveria e Kosovës ka proceduar ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të themeleohet gjykata speciale, si një vendim jo i lehtë, por i domosdoshëm në kohë dhe përgjegjësi për thellimin të partneritetit me bashkësinë ndërkombëtarë, i përgjegjësive tona për të mos patur pengesa që do na vononin në integrimin euroatlantik. Ne këtë vit mund ta shndërrojmë në një vit europian të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Thaçi akuzoi partitë politike opozitare për pengim të ngritjes së ushtrisë së Kosovës për interesa të ngushta të saj.

“Themelimi i ushtrisë së Kosovës, i Forcave të Armatosura të Kosovës, është peng i interesave të ngushta të politikës shqiptare. Partnerët e koalicionit, edhe minoritetit serb, kanë shprehur vullnet për ta votuar”, deklaroi Thaçi.

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti replikoi me Hashim Thaçin.

“Unë nuk mendoj se UÇK ka kryer krime lufte, por ka ish-luftëtarë të UÇK-së që kanë kryer krime pas luftës. Korrupsioni është një krim. Ky vend është pas sot, është këtu sot për shkak të krimeve të luftës së serbisë dhe krimeve të paqes së shqiptarëve”, tha Kurti.

Top Channel