Kosova, në “terr” gjatë sezonit të verës

01/08/2015 00:00

Kosova vazhdon të përballet me krizë të rëndë energjitike edhe gjatë sezonit veror. Reduktimet e energjisë janë rikthyer në shumë vendbanime për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme për furnizim të nevojshëm të gjithë qytetarëve.

Drejtori Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj tha se kriza do të vazhdojë deri në  ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, projekt i cili ende nuk ka filluar të ndërtohet.

“Ka mungesë të kapaciteteve gjeneruese për arsye se Kosova ka një defiçit të prodhimit në krahasim me konsumin e vendit. Diku në sezonin e dimrit, para dy viteve kemi pasur 400 megavat mungesë. Gjithashtu, vetë njësitë gjeneruese janë vjetëruar. Konkretisht, “Kosova A” ka mbushur mbi 45 vjet, ndërsa “Kosova B” 35. Të dyja këto janë probleme që prekin sektorin e energjisë elektrike në përgjithësi”, deklaroi Gjukaj.

Drejtori menaxhues i KEK-ut tregoi se termocentrali “Kosova B”, që prodhon shumicën e energjisë elektrike është varur direkt nga uji i liqenit të Ujmanit, që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës dhe sipas tij, pa atë ujë termocentrali nuk mund të funksionojë më shumë se 8 orë.

Gjukaj tha se pret një marrëveshje në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për furnizimin me ujë nga liqeni në fjalë.

“Fatkeqësisht, alternativë tjetër nuk kemi për arsye se vet projekti, flas për “Kosova B”, është hartuar i tillë që të marrë ujin përmes kanalit të Ibër Lepencit, që merret nga liqeni i Ujmanit. Ne mund të qëndrojmë ose të operojmë vetëm 8 orë dhe mbas tetë orëve, nëse nuk kemi ujë të mjaftueshëm nuk mund të prodhojmë më me këtë njësi. Sa i përket TEC-it “Kosova A”, ne ujin e marrim përmes lumit Llap, ose Pendës së Batllavës. Pra, as që mendohet të funksionojë pa marrë ujë prej Ujmanit”, nënvizoi Gjukaj.

Ai tha se, pavarësisht rekomandimeve për mbylljen e termocentralit “Kosova A”, qeveria kosovare duhet të mendojë për rigjenerimin e tij deri në zgjidhjen afatgjatë të problemit, kur të ndërtohet termocentrali i ri “Kosova e Re”.

Top Channel