Kosovë, përkujtohet beteja e Koshares

09/04/2015 00:00

Qindra qytetarë u janë ngjitur rrugëve të baltosura, të cilat çojnë në Varrezat e Dëshmorëve, në përvjetorin e 16 të betejës së lavdishme të UÇK-së, kur me luftë u thye kufiri mes shqiptarëve. Por familjarët e dëshmorëve, sot janë të zhgënjyer me neglizhencën institucionale ndaj Kompleksit Memorial të Koshares.

Eshtrat e shumë dëshmorëve pushojnë larg altarit të lirisë, në morgun e Prishtinës, pasi Qeveria nuk arriti të rregullojë të paktën varrezat. Mes tyre është edhe heroi i kombit, Agim Aamadani. E ndodhur pranë kryeministrit Isa Mustafa, bashkëshortja e tij Shukria nuk nguroi të thotë se institucionet po e turpërojnë këtë vend, që dikur nderoi të gjithë Kosovën.

“Erdha për të nderuar historinë, për të nderuar lavdinë e atyre që na bënë me këtë lavdi. Erdha ngaqë e di, që Agimi ka qenë çdo herë me shokë, erdha për shokët e tij, se zemra do të ishte atje ku është edhe Agimi, tek eshtrat e tij në morg. Është e tmershme që pas 16 vitesh, një luftë e tillë siç është Kosharja, ku thyhet për herë të parë kufiri shqiptar dhe gjunjëzohet një makineri aq e madhe serbo-sllave, të mbetet ndër më të fundit për ndërtim kompleksi. Prej dy vitesh Agimin s’e kemi këtu, Salihun s’e kemi këtu. A është e drejtë, që prej dy vitesh të zgjohem dhe të fle duke ditur se ai nuk është në tokën, ku ka dhënë gjakun e tij? A nuk është ky turp i institucioneve?”, u shpreh Shukrie Ramadani, bashkëshortja e Agim Ramadanit.

I zhgënjyer është edhe njëri nga ushtarët e Agim Ramadanit, Frashër Oseku, jo vetëm me atë çfarë ndodh sot, por edhe me faktin se ideali, për të cilin është derdhur gjaku, nuk është realizuar.

“Është turp t’ia nisim nga ‘A’-ja. Vetë ne kemi pasur një lloj betimi tjetër, nuk është bërë ajo për të cilën jemi betuar. Kjo tregon se pushtetarët tanë janë më afër kolltukut, sesa dëshmorëve”, tha Frashër Oseku, ish-pjesëtar i UÇK-së në Brigadën 138 – Agim Ramadani.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa premtoi se projekti për ndërtimin e kompleksit memorial në Koshare do të përfundojë brenda mandatit të tij qeverisës.

“Kosharja ishte prova më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj, Agim Ramadani. Ky vend, në të cilin jemi mbledhur sot, ka merituar prej kohësh kujdesin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ne ua kemi borxh heronjve tanë trajtimin institucional dhe kujdesin njerëzor e kombëtar. Qeveria që unë drejtoj do ta përmbyllë projektin e Kompleksit Memorial të Betejës së Koshares, ashtu sikurse do të bëjë çfarë është e mundur, që dora e shtetit të ndihet kudo ku ka shenja të luftës, sakrificës së popullit për liri, pavarësi dhe demokraci”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Në betejën e lavdishme të Koshares ranë 114 dëshmorë, por forcat e UÇK-së arritën ta hapin për herë të parë kufirin e Kosovës me Shqipërinë, në një betejë të ashpër 72-ditore. Projekti për ndërtimin e Kompleksit Memorial përfshin një shumë prej 4 milionë eurosh. Por, deri më tani janë ndarë vetëm 600 mijë, ndërsa shuma vjetore për përfundimin e këtij projekti, që Qeveria kishte planifikuar është rreth 200 mijë euro.

Top Channel