Dita Ndërkombëtare e Romëve, Mustafa: Do të jenë në vëmendjen tonë

08/04/2015 00:00

Dita Ndërkombëtare e Romëve në Kosovës është shënuuar me një konferencë ceremoniale më përfaqësues të lartë vendorë e ndërkombëtarë.

Ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, e pranishme në konferencë tha se më shumë se një milion amerikanë kanë prejardhje rome dhe SHBA është e angazhuar në përfundimin e diskriminimit të komunitetit rom.

“Jemi shumë të lumtur që kemi mundësi të punojmë me qeverinë e Kosovës për këtë qëllim dhe i përgëzojmë për të gjitha arritjet, por duhet të bëhet edhe më shumë për këto gjëra. Kosova është vend i ri, vend multietnik dhe është shembull për Evropën se çfarë mund të bëhet ose si mund të jetë një shtet multietnik i ri dhe romët janë pjesë e rëndësishme e kësaj pasurie, ndaj dhe e meritojnë ndihmën dhe përkrahjen tonë”, deklaroi Jacobson.

“Kosova është caktuar për një shtet multientinik që respekton dhe ndërton vlera multikulturore, por dhe synon përmirësimin e gjendjes socioekonomike për komunitetin rom. Këtë ditë e kuptojmë edhe si një apel për të gjithë neve që kemi përgjegjësi për ndërtimin e shtetit, për më shumë vëmendje nga shteti dhe shoqëria për integrimin e romëve në jetën sociale dhe ekonomike të vendit”, tha nga ana tjetër kryeministri Mustafa.

Ndërsa Kujtim Paçaku, deputet i partisë rome në Parlament, tha se Kosova është vendlindja e romëve dhe se arsimimi është zgjidhja e vetme për ta për të pasur një perspektivë.

“Ne, komuniteti rom i Kosovës, tani jemi në Republikën e Kosovës në vendlindjen tonë të dashur. Ne sot jemi këtu së pari për të treguar vetëveten, pastaj Kosovës dhe Evropës se jemi pjesë integrale e këtij shteti dhe dëshirojmë të jemi pjesëmarrës në të gjitha proceset politike që kanë të bëjnë me romët dhe për romët. Procesi edukativo-arsimor do të jetë sfidë dhe synimi ynë kryesor. Asnjëherë nuk do të heqim dorë nga edukimi sepse këtu e shohim perspektivën e komunitetit tonë”, u shpreh Paçaku.

Komuniteti rom është pritur në një takim nga presidentja Atifete Jahjaga, nga e cila u është kërkuar që të jenë më aktivë, të shprehin kërkesat dhe nevojat e tyre përmes Këshillit Konsultativ për Komunitete, i udhëhequr nga vetë ajo.

Ndërsa në këtë ditë, lëvizja Vetëvendosje kritikoi pushtetin që shpesh i trajton romët thjesht si një shkronjë, pjesë e akronimit “RAE”, e i braktis në mëshirë të fatit pasi vëmendjen e ka tek minoritetet “më të rëndësishme”.

“Trafikimi i qënieve njerëzore, puna nën moshën e lejuar, lypja, mungesa e strehimit, analfabetizmi, papunësia, diskriminimi racor-etnik e të tjera fenomene alarmuese janë ato që lypin zgjidhje emergjente”, thuhet në një deklaratë të Vetëvendosjes.

Top Channel