Kosovë, ende të panjohura shkaqet e shpërthimit në “Kosova A”

07/04/2015 00:00

Pas më shumë se 10 muajsh nga shpërthimi në termocentralin “Kosova A” në Obiliq, ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes ku humbën jetën dy punonjës dhe u shkaktuan shumë dëme materiale. Çështja u ngrit në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

“Unë e di, që KEK ka bërë një hetim paraprak. Është e pakuptueshme, edhe pas gjithë këtyre muajve, që ne ende nuk kemi ndonjë raport zyrtar të asaj se çfarë ndodhi në termocentralin ‘Kosova A’ dhe të kemi emrat e përgjegjësve, që kanë të bëjnë me humbjen e këtyre dy njerëzve dhe për shkaktimin e këtyre humbjeve, që po i ndodhin sistemit të energjisë në Kosovë”, tha Visar Ymeri, anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, VV.

Merita Kostari, nga Zyra e Rregullatorit për Energjinë, tha se nuk ka informata se çfarë ka ndodhur në “Kosovën A”, për shkak se organet e hetuesisë nuk i kanë përfunduar hetimet.

“Se çfarë ka ndodhur në ‘Kosova A’, raporti zyrtar i organeve të hetuesisë ende nuk ka mbërritur te ne, ndoshta këto organe ende nuk e kanë kryer punën e tyre. Dimë që objekti është i mbyllur dhe, për shkaqe sigurie që na kanë shpjeguar tashmë, hetuesia ende nuk ka filluar të punojë. Sa i përket kësaj, edhe neve nuk na pëlqen përgjigjja, për arsye se dy njerëz kanë humbur jetën. Pastaj, kjo ka ndikuar në tërë sistemin, jo vetëm në të ardhurat e KEK-ut, por edhe tek importet”, tha Merita Kostari, përfaqësuese e ZRRE.

Gjatë mbledhjes u shqyrtua raporti i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të Kosovës. Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit, ka pasur vërejtje për këtë raport, duke kërkuar nga përfaqësuesit e ZRRE që t’i dërgojnë Komisionit raport shtesë, me të dhëna të detajuara rreth humbjeve komerciale, tarifave, mbledhjeve të bordit etj.

“Nuk kemi parë një strukturë të mbledhjeve apo çështjeve, mbi të cilat është shqetësuar bordi gjatë vitit të kaluar, apo në cilat çështje kanë qenë të përqendruar. Kjo do të thotë se nuk është trajtuar aktiviteti investues i operatorëve, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Këtu janë prezantuar, por janë të përshkruara në aspektin fizik. Nuk e kemi me vlerë, se sa ka investuar KOSTT, sa ka investuar KEDS-i, sa është plani i investimeve”, tha Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

Sipas Mustafës nuk është korrekte, që humbjet komerciale t’i paguajnë qytetarët në fatura, pasi kjo nuk u takon atyre. Nga përfaqësuesit e ZRRE-së u tha se humbja e energjisë elektrike, vetëm në veri të Kosovës është  mbi 4%. Ndërsa Besim Beqaj, anëtar i Komisionit, tha se, në rast se KEDS-i nuk performon mirë, atëherë ZRRE ka të drejtë t’ia marrë licencën. Komisioni vendosi që raportin e ZRRE-së ta procedojë në Kuvend.

Top Channel