Rrogozhinë, PS kundër PDIU-së: Kandidati të mbajë siglën e PS

04/04/2015 00:00

Socialistët e Rrogozhinës kundërshtojnë kandidatin e PDIU, Beqir Halimi,
për bashkinë e këtij qyteti në zgjedhjet e 21 qershorit.

Ata deklarojnë se nuk do të njohin asnjë kandidat tjetër që është në koalicion me PS. Sipas tyre, ata nuk janë pyetur nga PS për kë do të votojnë dhe as nuk është diskutuar me bazën emri i ndonjë kandidature.

Ata kërkojnë të shkojnë në zgjedhjet e 21 qershorit me kandidatin e dalë nga PS dhe nuk do të votojnë asnjë emër që nuk ka këtë sigël.

“Të vijë kandidatura nga Tirana këtu më duket e palogjikshme. Ne kemi lënë kockat këtu, jemi ndeshur dhëmbë më dhëmbë me njerëzit e Sali Berishës. Tani dashka Edi Rama të vijë nga Tirana këtu”, thotë ish-kryetarja e Gruas në PS.

“Ne nuk duam sepse gjatë kohës që këtu ka udhëhequr PDIU bashkë me PD-në kanë bërë raprezalje ndaj anëtarëve të PS, duke u dhunuar mendimin dhe anën profesionale. Ndaj ne kemi arritur në konkluzionin se, përderisa votën e kemi të shenjtë, ne nuk e tjetërsojmë tek asnjë subjekt tjetër”, deklaron Skënder Dedej, anëtar i asamblesë së PS në Rrogozhinë.

“As kam punë me kandidatin, as me atë çfarë ka bërë kryeministri Rama, është punë e tij. Ne mbështesim qeverinë socialiste. Por mua 4 vjet më parë PDIU më hoqi nga puna pa asnjë shkelje dhe pa asnjë motiv. Më flaku në rrugë”, tregon Rakip Tosku, një tjetër anëtar i asamblesë së PS në këtë qytet.

Bashkia e Rrogozhinës mendohet se do t’i lihet një kandidati të PDIU-së, por socialistët në këtë qytet nuk janë dakord për shkak se pjesa më e madhe e tyre u pushuan nga puna kur bashkia u fitua nga një kandidat i PDIU-së në koalicion me PD-në.

Top Channel