Mustafa e Hahn përurojnë Pallatin e Drejtësisë

25/03/2015 00:00

Kryeministri Isa Mustafa dhe Komisioneri Evropian për Politikë Europiane
për Negociata dhe Zgjerim, Johanes Hahn kane inaguruar ne Prishtinë, 
Pallatin e Drejtësisë,  ku do të funksionojnë Gjykata Themelore të
Prishtinës, Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme të Kosovës, si dhe për
Prokuroritë  përkatëse,  përfshi stafin e EULEX-it.

“Si Qeveri ne jemi shumë të përkushtuar që sistemi i drejtësisë në vend të ndërtohet me standarde evropiane. Unë mendoj se parakushtet themelore si infrastrukturë fizike i kemi siguruar.Në programin e Qeverisë për periudhën 2015-2018, kemi shprehur përkushtimin dhe angazhimin tonë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe që shteti i së drejtës të bëhet prioritet mbi prioritetet tek ne.Jemi të përkushtuar që sundimi i ligjit të mos ketë asnjë kompromis. Prandaj, le të jetë ky një rast i ri për sistemin e drejtësisë në Kosovë, le të jenë këto kushte edhe një kusht që të gjithë ata që punojnë në forcimin e mëtutjeshëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës të japin kontributin e tyre”, tha Mustafa.
 
“Është e rëndësishme që Kosova ju përmbahen angazhimit që t’i japë dorën e fundit punëve dhe ç’është më e rëndësishmja për ta përfunduar infrastrukturën e sigurisë. Por, ta zhvendosim këtë bisedë për ndërtesën në punën e vërtetë që duhet bërë në të. Sundimi i ligjit është themeli mbi të cilin është ndërtuar BE-ja. Ata që aspirojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian duhet të promovojnë funksionimin e duhur të institucioneve themelore që sigurojnë sundimin e ligjit. Një gjyqësor funksional, i paanshëm dhe i pavarur është një pasuri pa të cilën nuk mund të funksionojë një vend stabil dhe i suksesshëm”, tha Hahn.

 Shuma e përgjithshme për ndërtimin e këtij pallati  ka qenë 30 milionë euro, nga të cilat 26.1 milionë euro janë financuar nga BE-ja. Puna në këtë ndërtesë ka filluar në vitin 2011 dhe ka përfunduar në fund të vitit të kaluar.

 “Zonja dhe zotërinj, kjo ndërtesë madhështore tani është gati. Gjyqësori i Kosovës tani ka një shtëpi. Ju tani keni rast dhe obligim që ta shfrytëzoni mirë dhe t’u tregoni qytetarëve të Kosovës se ju mund të  jepni drejtësi”, theksoi Hahn.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, ishte e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga,personalitete të tjera të larta vendore e ndërkombëtare, si dhe zyrtarë e punonjës të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
 

Top Channel