Punëtorët e “Grand”, ofertë të fshehtë nga AKP

25/02/2015 00:00

Agjencia Kosovare e Privatizimit dëshiron një pakt të fshehtë me punëtorët e hotelit “Grand”, për të ardhmen e vendeve të tyre të punës, pa përfshirjen e sindikatës dhe larg syve të publikut.

Bëhet fjalë për kontrata shërbimi që AKP-ja do t’u ofrojë punëtorëve pasi ndërmarrja është në proces likuidimi dhe 90 prej tyre aktualisht janë pa kontrata pune.

Kanë qenë zyrtarët e Zyrës së Likuidimit, njëri ndërkombëtar, George Otterbein dhe tjetri vendas, Rafet Ferizi, të cilët kërkuan largimin e ekipit të Top Channel nga salla ku do të zhvillohej takimi me punëtorët, edhe pse i thirrur nga vetë këta të fundit për një çështje që ka interes të madh publik.

Ata kërcënuan punëtorët se AKP-ja mund të angazhojë punëtorë të tjerë nga jashtë nëse ata nuk e pranojnë ofertën, duke u thënë madje se me reagimet e tyre po e shndërrojnë situatën në cirk.

“Arsyeja pse doja ta mbaja takimin me njerëzit që janë të interesuar të angazhohen në hotel “Grand” është se unë dua që ata të dëgjojnë planin tim. Përvoja ime me njerëzit e sindikatës është se, gjithmonë kur ata janë këtu, njerëzit e tjerë e kanë të vështirë të flasin. Pasi ju të dëgjoni planin tim është në zgjedhjen tuaj nëse doni të takoheni me kë të doni, me shtypin apo kë të doni. Unë dua që ju të kuptoni atë që unë kam për t’ju thënë, por nuk do ta bëj këtë në një cirk”, deklaroi Otterbein.

“Ligji i AKP-së e thotë qartë se, Autoriteti i Likuidimit ka të drejtë të angazhojë ofrues të shërbimeve në ndërmarrjen që hyn në likuidim, që do të thotë se mund t’i marrë ata edhe nga rruga dhe nuk i detyron askush të mbajë këta punëtorë”, tha nga ana tjetër Ferizi.

Zyrtarët e AKP-së nuk e prezantuan ofertën, por mësohet se plani është që të mbahen një pjesë e punëtorëve në punë për tre muaj, me vetëm 50 për qind të pagës nga ajo që kanë marrë deri më tani. Kryetari i Sindikatës së pavarur të sektorit privat, Jusuf Azemi tha se oferta është në kundërshtim me ligjin.

“Kjo që po bëjnë ata është shkelje ligjore. Nuk mund të guxojnë të ofrojnë 50 për qind të pagës sepse kjo është në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Azemi.

Me gjithë insistimin e Top Channel për të kuptuar më shumë për ofertën e AKP-së, zyrtari ndërkombëtar dhe ai vendas u larguan pa dhënë shpjegime. Ata kërkuan nga punëtorët që nëse janë të interesuar të drejtohen në zyrën e drejtorit dhe të vendosin firmat e tyre.

Nga ana tjetër, punëtorët duket se janë unikë në qëndrimin e tyre. Ata kërkojnë të vazhdojnë punën të gjithë deri në shitjen ose privatizimin e ndërmarrjes, me argumentin se hoteli është funksional dhe se paga mujore mbulohet me punën e tyre. Për këtë ata kanë nënshkruar edhe një peticion që do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës.

Top Channel