Prishtinë, vijon protesta e studentëve, bojkotojnë mësimin

25/02/2015 00:00

Studentët e Fakulteteve të Juridikut, Ekonomikut, të Edukimit dhe atij Filozofik, në Universitetin e Prishtinës, kanë bojkotuar të mërkurën mësimin duke bllokuar edhe hyrjet për studentë e profesorë.

Përfaqësues të studentëve thanë se nuk lejojnë asnjë funksionim të institucionit, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, mes të cilave kryesore është ajo e shtimit të afateve të provimeve brenda një viti akademik.

“Askush nuk ka zhvilluar mësim sot, as Fakulteti Juridik, as Fakulteti Ekonomik. E kemi organizuar protestën për t’u bojkotuar mësimi në bashkëpunim. Ne do të vazhdojmë deri sa të përmbushen kërkesat tona”, tha Laurant Shabani, përfaqësues i studentëve në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik.

“Sot kemi filluar prej orës 7 e 30 në mëngjes. Protesta do të zgjasë deri sa të reagojë rektori lidhur me kërkesat tona, që ju e dini se kanë dalë nga parlamenti studentor, dhe do të vazhdojmë deri sa të përmbushen këto kërkesa. Kthimi i afateve të tetorit dhe prillit me dy provime, mendoj se nuk e prish cilësinë, por do të ketë të njëjtin efekt, sepse nëse duam një perspektivë më të mirë besoj që nevojitet të jetë e njëjtë edhe dhe kjo”, tha Fitim Olluri, përfaqësues i studentëve në Fakultetin Filozofik.

Bojkoti i mësimit nisi të martën në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë Teknik, ndërsa studentët kanë kaluar natën në objektet e fakulteteve. Lidhur me bojkotimin e mësimit gjatë dy ditëve të fundit ka reaguar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, përmes një komunikate për shtyp.

“Studentët e Universitetit e kanë për obligim, që të angazhohen dhe të veprojnë në interes të cilësisë akademike, prandaj ju bëjmë thirrje që të gjitha kërkesat në interes të studentëve t’i realizojnë me dialog të arsyeshëm dhe përmes organeve të Universitetit. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është e përkushtuar për të mbështetur të gjitha universitetet për zbatim të kritereve akademike, sistem të vlerave dhe të konkurrencës, dhe rritje të cilësisë së studimeve. Në përputhje me parimet e Bolonjës dhe të fushës së arsimit të lartë evropian, shprehim përkushtimin e plotë për respektimin e autonomisë akademike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina””, thuhet në komunikatë.

Top Channel