Gjyqi ndaj Ivanoviç, dëshmitari: Dha urdhër për pushkatim në 1999

25/02/2015 00:00

Një nga dëshmitarët në procesin kundër Oliver Ivanoviçit e ka akuzuar atë se ka dhënë urdhër për pushkatimin e meshkujve, që po udhëtonin me autobus drejt Malit të Zi në vitin 1999.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Mateus, Zeqir Alia ka treguar sesi me bashkëshorten e tij janë nisur me autobus për në Mal të Zi dhe, afër Gjurakocit janë ndaluar nga dy persona me uniformë, një prej të cilëve ka qenë Oliver Ivanoviç.

Sipas tij, me urdhër të Ivanoviçit për t’i pushkatuar meshkujt, të gjithë ata janë detyruar të dalin nga autobusi.

“Jam marrë në pyetje se ku po shkoja, pse po shkoja, a do të kthehesha, dhe pyetje të ngjashme nga Oliver Ivanoviç. Pastaj na kanë kthyer letërnjoftimin dhe jemi kthyer në autobus. Vetëm unë dhe bashkëshortja ime kemi qenë shqiptarë, të tjerët kanë qenë ashkali dhe romë”, ka thënë Zeqir Alia.

Siç njofton agjencia e lajmeve “Kosovapress”, prokurori Mateus ka lexuar edhe njëherë deklaratën e dëshmitarit, të cilën e kishte dhënë më herët për shkak të mospërputhshmërisë së disa fakteve.

Ndërsa për avokatin e Ivanoviç, kjo deklaratë ka qenë konfuze.

Top Channel