Ndarja administrative, njësitë vendore në `lagje` e `fshat`

03/02/2015 00:00

Ndryshimet në ndarjen e re territoriale të vendit me 61 bashki do të fshijnë nga Ligji për Organizimin e Pushtetit lokal fjalët “komunë”, “Këshill Komunal” apo “Rreth”.

Në vend të tyre do të ketë fjalë të reja si “lagje”, “administrator i lagjes”, “kryetar fshati” ose “kryesi fshati”. Ndryshimet e propozuara nga Qeveria propozojnë ndarjen e bashkive të reja në lagje dhe në secilën prej tyre të emërojnë nga një administrator, duke ruajtur, përgjithësisht, strukturën e shpërndarjes së shërbimeve sipas bashkive dhe komunave aktuale.

Mazhoranca tha se këto ndryshime janë të domosdoshme për zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 21 qershor, por sipas opozitës ato përkeqësojnë më tej shërbimin ndaj qytetarëve dhe skema nuk kursen parà, siç u deklarua në fillim nga Qeveria.

Ndryshimet në ligjin për organizimin e pushtetit lokal u miratuan në parim nga deputetët e shumicës, ndërsa demokratët votuan kundër. Gjatë ditëve në vazhdim do të ketë një konsultë me shoqatat e njësive vendore, por debati më i madh dhe më delikat ende nuk është kryer. Ai do t’i përkasë një të ardhmeje të afërt, kur, për shkak të ndarjes së re territoriale, të nisin diskutimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Top Channel