Kosovë, protesta kundër Jabllanoviç dhe qeverisë

22/01/2015 00:00

Vazhdojnë protestat e qytetarëve të Kosovës kundër ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç dhe kundër qeverisë për vendimet e kohëve të fundit në lidhje me ndërmarrjen Trepça.

Të enjten manifestimit iu bashkuan qytetarët e komunës së Malishevës. Qindra protestues kërkuan nga qeveria dhe Kuvendi shkarkimin e ministrit serb dhe dëbimin e tij nga Kosova.

Protestë kundër ministrit serb gjatë ditës u organizua edhe në Deçan.
Në të njëjtën kohë, protestuesit kërkuan që të mos luhet me fatin e pasurive nëntokësore të Kosovës.

“Sot po luhet me fatin e pasurisë së Kosovës. Sot Trepça, që është dhe kombinati që garanton të ardhmen tonë ekonomike, po rrezikohet dhe ndoshta ky është momenti i fundit që të ndalet zhvatja dhe shitja e pasurisë së vendit. Sepse në bazë të këtij vendimi ne ose do të qëndrojmë këtu, ose do të ikim. Me këto protesta ne po u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë këtu, të punojnë dhe të luftojnë për të drejtat e tyre, sikurse kemi luftuar ndër shekuj. Ne sot mbështesim kërkesat e minatorëve”, deklaroi Enver Hoti, kryesues i Kuvendit Komunal të Malishevës.

Edhe opozita në protestën e së shtunës

Ndërkohë, dy partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma për Kosovën kanë bërë të ditur se do të marrin pjesë të shtunën në një protestë mbarëpopullore.

Protesta do të mbahet për të manifestuar pakënaqësinë mbi gjendjen e përgjithshme në të cilën ndodhet Kosova dhe dy partitë e opozitës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen përmes komunikatave respektive për shtyp.

Në komunikatën e saj, AAK është shprehur se, zhvillimet e fundit në vend janë pasojë e pushtetit të tanishëm, i cili sipas saj po bën plane vetëm për zaptimin e shtetit dhe jo për zhvillimin e tij.

Në të njëjtën formë edhe Nisma për Kosovën ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e krijuar në vend, duke bërë akuza të ngjashme sikurse AAK.

Protesta e së shtunës është organizuar nga lëvizja Vetëvendosje dhe shoqata “Thirrjet e Nënave”, e cila kërkon zbardhjen e fatit të të zhdukurve nga lufta.

Ndërkohë, gjatë së enjtes, mbi 2 mijë qytetarë morën pjesë në protestën e organizuar në Malishevë kundër deklaratave fyese të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviç, si dhe në mbrojtje të Trepçës.

Top Channel