Shtegu i vjetër i dikurshëm ku pritet të kalojë “Rruga e Arbërit” është më shumë se i vështirë, sidomos në këtë periudhë dimri. Drejt Gurit të Bardhë, destinacionit tonë, mund të shkosh ose përmes krahut që vjen nga Qafa e Murrizit, ose përmes Klosit. Zgjedhim të parin për të zbuluar kështu edhe një pjesë të fytyrës deri më sot të fjetur të një zone kaq afër dhe larg kryqytetit. Rreth 40 kilometra në më shumë se dy orë.
Kalaja e Gurit të Bardhë apo Petralbës, siç njihet ndryshe dikur ishte një ndër selitë e Kastriotëve. Sipas historianëve zona përbënte një ndër pikat e rëndësishme nën varësinë e tyre me një popullsi jo të vogël për kohën. Edhe sot shekuj më pas përrethmi jetohet, mes historisë e realitetit që pak shkëputen nga njëri-tjetri.
Ngjitja drejt selisë së dikurshme që siç shkruan Marin Barleti frekuentohej në mënyrë të rregullt nga Donika Kastrioti, por edhe nga bashkëshorti i saj Gjergj Kastrioti Skënderbeu është një kacavirrje e vazhdueshme mes majave të thepisura. Duket e jashtëzakonshme të shohësh vendin e saj, ndoshta për këtë Barleti e cilësonte një kala të ngritur majë një mali e që s’i trembej asnjë fuqie armike, përveç urisë.
Ashtu siç pritej kalaja është lënë në mëshirë të fatit, një pjesë e mureve kanë rënë kurse të tjera kanë mbetur aty të braktisura. E të mendosh se dikur mbi Luginën e Matit shkrihej shikimi i Kastriotëve.
Sipas studiuesve jo larg shtrihej edhe qendra e banimit që u ngrit me shumë gjasa pas rënies të asaj antike të Xibrit. Ajo kishte një popullësi të konsiderueshme për kohën dhe njihej hershëm si pjesë e zonës së kontrolluar nga Gjon Kastrioti, babai i Skënderbeut.
Sot pak kanë mbetur nga rrënojat e dikurshme e megjithatë tejmi duket fshati i Gurit të Bardhë dhe ai i Petralbës që dikur kanë qenë një i vetëm, u ndanë gjatë regjimit komunist, e megjithatë sërish funksionojnë thuajse si një i vetëm.
Guri i Bardhë me 7 lagjet e tij dikur ka patur mëse 1650 banorë, ndërsa sot jo më shumë se 700.
“Mundësitë ekonomike janë shumë të vogla. Kanë pas prurë çunat andej, tani janë reduktuar edhe ato. Ja kjo është”, thotë Mustafa Danini, banor i Gurit të Bardhë.
Rruga është fillesa e problemit e prej saj gjithçka bëhet e vështirë.
“Jo dorë nuk është. Nuk është vënë dorë fare. Vetëm rruga. Italiani e ka ndërtuar dhe s’ka ndërhyrë askush tek rruga”, tregon Mysli Alla.
“Më shumë të rinjtë kanë ikur, kanë ikur larg…”, thotë Mustafa Marini.
“Po kanë ikur njerëzit, ca kanë ikur në emigracion, ca kanë ikur në Tiranë, kanë ngelur shtëpitë të pabanuara, njerëz ka pak”, rrëfen Faik Shurdhi.
Në paç një të sëmurë rëndë e për të cilin qendra shëndetësore nuk mund të bëjë asgjë, vetëm Zoti, siç thonë, mund të të ndihmojë. Ashtu si kabina e energjisë elektrike që për shkak të degradimit duket sikur do të bjerë nga çasti në çast.
“Me pas një të sëmurë, vështirë, sidomos në periudhë dimri e kemi të vështirë shumë. Do ta nxjerrim me kafshë a me batanije, a me gjë deri me njëfarsoji vendi ku të punojë makina”, thotë Ferid Meta.
“Sic e shihni vetë ju tani kabina është gati në shëmbje, do dëmtohen pajisjet brenda edhe ne do ngelim pa drita. Nuk e ka marrë kush parasysh fare. Vetëm presim kur të shëmbet”, thotë Ferid Sadiku.
Zona është malore dhe sasia e vogël e tokës për frymë nuk krijon kushte të mjaftueshme për t’u marrë me shumë bujqësi, ndaj banorët në masë dërrmuese kanë vetëm blegtorinë dhe më së shumti emigracionin e të rinjve.
“Me vështirësi kalohet, me vështirësi. Një rrugë dru do gjysmë ditë ta çosh në shtëpi që të gatuash e të hash bukë”, thotë Qazim Hoxha.
Fshati që rrënjët i ka në histori e që prej saj, por edhe natyrës së virgjër duhet të tërhiqte vëmendje e pse jo turistë , sot zgjidhjen më të madhe e jep përmes largimit të banorëve. Shkolla 9-vjeçare nga 180 nxënës dikur, ka sot jo më shumë se 70, ndërsa ajo e mesme që ka arritur deri në 120 nxënës është mbyllur dhe të rinjtë e fshatit duhet të udhëtojnë mëse 2 orë në këmbë për të vajtur në shkollën më të afërt në Xibër.
“Ata që bëjnë shkollën jashtë mundohen me ik jashtë shteti ose me gjet një rrugë tjetër, ndonjë punë jashtë, këndej nuk ka”, thotë Ramazan Huta.
“Është në gjendje kome si me thënë. Nuk ecën asgjë. Është qetësi. Pse? Po pse, ca do bësh? Me bujqësi, nqs do merresh me bujqësi s’ka rrugë, s’ka makineri, gjëra. Vendi është shumë i thyer”, tregon Ador Karaj.
Të njëjtin fat ka patur edhe shkolla në Petralbë, edhe ajo tashmë e mbyllur. E të mendosh se dikur në këtë fshat arsimohej një figurë e madhe si Pjetër Budi, djal i Gurit të Bardhe, ku jetoi siç thonë shumë studiues deri të paktën në moshën 21-vjeçare. E po kështu kanë dalë edhe shumë figura të tjera nga kjo zonë, banorët e së cilës duket se shquhen, jo thjesht për mikpritjen, por edhe një zemër e kulturë të madhe.
“Më mirë për fshatin bëhet vetëm kur të bëhet Rruga e Arbërit. Do të jetë fitore për arsye se kanë mundësi të bëjnë më tepër tregti me Tiranën”, thotë Hysen Bajraktari.
Guri i Bardhë merrte frymë atëherë kur shumë qytete të sotme nuk ekzistonin, kishte banorë kur zona të tjera ishin vetëm një grusht, e megjithatë ndryshe nga dikur sot mbështetje ende nuk ka parë. “Rruga e Arbërit” është hapi i parë e pas saj projektet duhet domosdoshmërisht të prekin këtë zonë, për ta rikthyer aty ku e ka vendosur historia e jo fjalët.
Top Channel