Qeveria e Kosovës kundër “The Guardian”

08/11/2014 00:00

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka përgënjeshtruar të dhënat e publikuara në një artikull të gazetës britanike “The Guardian”, që mban autorësinë e gazetarit Julian Borger.

Bëhet fjalë për një shkrim ku flitet për lidhje farefisnore mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe të dyshuarve për vrasjet në çështjen “Bllaca”.

“Si për nga përmbajtja e rrëfimit, ashtu edhe për nga faktet e paqëna, artikulli në fjalë është tërësisht i papranueshëm. Habitemi sesi një gazetë me traditë si “The Guardian” boton shkrime keqinformuese dhe me insinuata të tilla”, thuhet në reagimin e zyrës së Thaçit.

Artikulli i prestigjozes britanike thotë se shefi i qeverisë kosovare ka lidhje farefisnore mes ish-komandantin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, gjë që sipas Kryeministrisë është fare e pavërtetë.

“Përfshirja tendencioze e kryeministrit në kontekstin e rastit “Bllaca” është thellësisht e padrejtë, e paargumentuar dhe përbën një tentativë të njollosjes së emrit të tij. Zyra e Kryeministrit do të vihet në kontakt me “The Guardian” për reagimin e duhur”, përfundon komunikata.

Top Channel