“Beteja” për kryeministrin në “Bllok”

07/11/2014 00:00

Për zhvillimet e fundit politike në Kosovë foli analisti Artan Muhaxhiri. I lidhur direkt me studion e lajmeve të Top Channel-it, ai tha se brenda dy javësh do të vendoset për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar të Kosovës, pasi ka një presion të jashtëzakonshëm nga bashkësia ndërkombëtare për ta zgjidhur ngërçin politik.

TCH: Me tërheqjen e “Bllokut” sot nga posti i kryeparlamentarit, a duket se jemi drejt një zgjidhjeje të krizës politike apo duke iu referuar Thaçit, i cili tha se nuk mund të ketë zgjidhje të pjesshme por marrëveshje tek presidentja ose zgjedhje të parakohëshme, ju duket se zgjidhja është ende larg?

Artan Muhaxhiri: Hapi i sotëm është fillimi i fundit të bllokadës. Ka 5 muaj që kjo situatë është bërë e patolerueshme për qytetarët. Partitë, për shkak të interesave të tyre, nuk kanë dashur ta shohin realitetin dhe të sillen në përputhje me të. Vendimi i sotëm i “Bllokut” i hap rrugë zgjidhjes së këtij ngërçi, por mendoj se do duhet kohë për zgjidhjen përfundimtare, për zgjedhjen e kryeministrit dhe të kabinetit qeveritar. Deklarata e sotme e zotit Thaçi vjen si pasojë e gabimeve të “Bllokut” dhe Thaçi po mundohet të “rrisë pazarin” duke kërkuar të përfshihet në qeverinë e ardhshme. Them se zgjidhja është afër edhe nga presioni i jashtëzakonshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Brenda dy javësh do të kemi kryeministrin dhe kabinetin qeveritar.  

TCH: Kjo tërheqje ka komplikuar situatën edhe brenda koalicionit post-zgjedhor. Do të jetë Haradinaj apo Mustafa kryeministër?

Artan Muhaxhiri: Aktualisht “Blloku” është duke biseduar sepse ky ndryshim ka qenë ndoshta edhe i paplanifikuar. Tani duket se Haradinaj dhe Mustafa do të duhet të bëjnë një kompromis dhe të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Më e mundshme është që zoti Mustafa të bëhet kryeministër sepse ka një presion nga LDK-ja edhe për faktin se është partneri më i madh brenda koalicionit, por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim.

Top Channel