Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për shtetasin kroat, Damir Miserda, i cili akuzohet se ngriti në Shqipëri, së bashku me dy shtetas kosovarë, një skemë mashtruese piramidale, duke dëmtuar më shumë se 300 persona, e duke përfituar rreth 530 mijë euro.

Burime brenda kësaj Prokurorie bënë të ditura se u dërgua për gjykim dosja, hetimi i së cilës ka nisur në vitin 2011 dhe fillimisht janë marrë të pandehur e janë dënuar me 10 vjet burgim në mungesë, dy shtetasit kosovarë, Burim Haxhiolli dhe Valon Kyçyku.

Në atë kohë, Prokuroria kishte ngritur dyshimet për një person të tretë të përfshirë në skemë, por nuk mundi ta evidentonte. Pas hetimeve të kryera, me ndihmesën edhe të Drejtorisë për Marrëdhënie Juridiksionale me Jashtë, në Prokurorinë e Përgjithshme, u arrit të gjendej se personi i i tretë ishte shtetasi kroat Damir Miserda.

Tre personat akuzohen për “mashtrim” më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda, si edhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”; kanë bindur persona të shumtë për t’u anëtarësuar në shoqërinë “Eurolife”, e cila vepron në shërbim të shoqërisë “Gemak”, subjekte këto të regjistruara në Shkup, Maqedoni.

Në momentin e anëtarësimit, subjektet e dëmtuara kanë paguar secila shumën 2290 euro, e cila shpërndahej te të pandehurit, që kanë përvetësuar shumën 532.163 euro. Duke i premtuar mundësi për ngritjen e biznesit të vogël, tre të akuzuarit u premtonin anëtarëve që, pas trajnimeve të tyre, do të kishin mundësi të siguronin shuma të konsiderueshme parash.

Por, nga hetimi u provua se gjatë seancave “trajnuese”, e vetmja temë që mbahej nga të pandehurit ishte se si të afronin sa më shumë pjesëmarrës në shoqërinë e tyre, të cilët duhej të paguanin 2290 euro për anëtarësim. Kur asnjë nga anëtarët nuk po ndihmohej të ngrinte këtë biznes, ata kallëzuan penalisht në Prokurori tre të akuzuarit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA