“Monstra” diskutohet në Kosovë

05/09/2014 00:00

Ministri i ri i Drejtësisë në Maqedoni, Adnan Jashari ka deklaruar të premten gjatë një vizite në Prishtinë se rasti “Monstra” në Maqedoni ka shkaktuar protesta dhe pakënaqësi për shkak të mungesës së transparencës dhe mos paraqitjes së fakteve bindëse.

Jashari beson se gjendja e tensionuar dhe protestat për shkak të rastit “Monstra” do të qetësohen kur instancat e larta të drejtësisë do të bëjnë transparente faktet e nevojshme, nëse i kanë.

“Por unë shpresoj se një situatë e tillë do arrihet të përmirësohet në gjykatën e shkallës së dytë, respektivisht në Gjykatën e Apelit, e cila do të mund të tregojë kapacitetet dhe të bëjë transparente se ka apo nuk ka fakte të besueshme”, deklaroi Jashari.

Gjatë vizitës së parë jashtë vendit, ku u prit nga homologu i tij kosovar Hajredin Kuçi, ministri Jashari diskutoi edhe për arritjen e një marrëveshje të re mes Shkupit dhe Prishtinës në fushën e lëndëve civile për qytetarët e dyja vendeve.

Në këtë takim nuk munguan as diskutimet për lehtësimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve, me ministrin Kuçi që tha se Kosova është e gatshme të ofrojë bashkëpunim për të mundësuar lëvizjen vetëm me letërnjoftime, njësoj si me Shqipërinë.

“Ne jemi të gatishëm që ta lehtësojmë qarkullimin mes dy vendeve tona. Besoj që ministrat tanë të Jashtëm do t’i koordinojnë këto aktivitete”, tha Kuçi.

Dy ministrat e Drejtësisë u pajtuan që Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës duhet të mbështesin punën e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Maqedoni por edhe atyre në Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi.

Top Channel