Çfarë po ndodh në Maqedoni? Përse ky zemërim i shqiptarëve dhe a ka ndikime të tjera? Kim Mehmeti, gazetar, publicist i njohur dhe drejtues i zyres së Top Channel në Shkup na sjell një analizë të faktorëve që kanë sjellë në këtë situatë.

“Po shprehen pakënaqësitë e akumuluara ndër vite nga shqiptarët e këtushëm, nga viti 2001 deri më sot. Në 2001 neve na u kthye shpresa dhe këta fëmijë që protestojnë sot kanë pritur shumë. Ata që na i kthyen shpresën neve ia vranë shpresën kësaj rinie dhe ata u rikthyen në rrugë”, vlerëson Mehmeti.

Ai hedh poshtë çdo insinuatë se këto protesta janë të motivuara politikisht, duke shprehur bindjen se shumë shpejt atyre do t’u bashkohen edhe aktivistët e partive politike.

“Këto protesta nuk janë të asnjë lloji. Aktivistët e BDI-së dalë nga dalë do të bëhen pjesë e tyre. Ata e kanë kuptuar mirë mllefin e popullit dhe do të bashkohen me të”, thotë Mehmeti.

Gjithashtu, analisti i njohur i mëshon edhe nevojës për një ndërhyjrje të faktorit politik në Tiranë dhe Prishtinë.

“Ato duhet ta kuptojnë se duhet të dalin hapur nëse do jenë pranë interesave të popullit apo atë interesave të miqve të tyre. Sidomos Tirana duhet të mbajë qëndrim të qartë dhe duhet ta dijë se për këtë situatë të shqiptarëve janë fajtorë liderët politikë të tyre”, shton Mehmeti.

Top Channel