Urgjencë pediatrie në ambulancë

27/06/2014 00:00

Në tre qendra shëndetësore të Tiranës do të ofrohet shërbim urgjence pediatrie gjatë 24 orëve. Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar ofrimin e këtij shërbimi edhe gjatë orëve të natës, për të parandaluar fluksin e madh të pacientëve të vegjël që i drejtohen urgjencës së pediatrisë në QSUT, për shkak të temperaturave të larta dhe virozave në këtë sezon.

“Këtë sezon vere do të përpiqemi të ofrojmë një shërbim më të zgjatur gjatë ditës. Problemet me virozat që kanë fëmijët mbingarkojnë urgjencën e QSUT, duke bërë që ajo të dalë nga funksioni, duke mos kryer dot shërbimin. Në dy muajt e verës në tre qendra shëndetësore do të ketë shërbim pediatrie në 7 ditët e javës”, deklaroi Beqja.

Beqja ka viztiuar mbrëmjen e së enjtes urgjencën e Tiranës, e cila  mbulon një pjesë të mirë të banorëve të kryeqyetit. Ndërkohë, drejtori i ASHR, Edmond Stojku bëri me dije tre qendrat shëndëtsore.

“Janë tre pika ku do ofrohet ky shërbim, ajo e Tiranës pranë stadiumit Dinamo, ajo numër 4 tek Dispanseria dhe numër 6 tek Kombinati. Urgjenca e Tiranës do jetë ajo që do të japë shërbimin më maksimal për gjithë fëmijët”, nënvizoi Stojku.

Qendra shëndetësore numër 6 mbulon urgjencat e zonës së Kombinatit dhe komunat përreth, po kështu dhe qendra shëndetësore numër 4 mbulon Babrrunë, Paskuqanin, etj. Për rastet e komplikuara nga këto urgjenca, pacientët e vegjël do të drejtohen në shërbimin e pediatrisë në QSUT.

Top Channel