Statistikat e përdoruesve të drogës në Shqipëri

26/06/2014 00:00

Pavarësisht ndërgjegjësimit për rreziqet, që drogat paraqesin për individët dhe familjet, numri i përdoruesve rritet çdo ditë.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, aktualisht në Shqipëri janë rreth 60 mijë përdorues të drogës. Një shifër, që është shumëfishuar nga viti 1995. Atëherë numëroheshin 5 mijë konsumatorë. Ndërkohë, vetëm 3 vjet më vonë, në vitin 1998 janë regjistruar 20 mijë përdorues, që varionin nga 15-64 vjeç.

Në lidhje me llojin e drogave më të përdorura, të parat janë prodhimet e kanabis në rreth 65%; përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25%; rreth 10% janë përdorues të kokainës, etj. Konstatimet e fundit tregojnë një rritje të preferencave për substanca sintetike, të ashtuquajtura të klubeve, veçanërisht ekstazi.

Rreth 48% e përdoruesve e marrin drogën me injektim, 37% me tymosje dhe rreth 11%  me thithje nga hunda.

Mosha mesatare e personave të trajtuar gjatë këtyre viteve është rreth 27 vjeç. Grupmosha 21-30 vjeç përbën 66% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve.

Studime të bëra nga ekspertët e ISHP-së, në popullatën e shkollave të mesme, tregojnë se 7% e personave të moshës 15-18 vjeç kanë eksperimentuar kanabisin, 4% me ekstazi, 1% me heroinë, dhe 3% kishin përdorur kokainë.

Megjithë vëmendjen dhe angazhimin social, përdorimi i drogës në mbarë botën ka arritur përmasa kritike. Globalisht rreth 210 milionë njerëz çdo vit përdorin drogë, dhe pothuaj 200 mijë prej tyre vdesin.

Dënimet për përdoruesit e drogave
Mungesa e specifikimeve në Kodin Penal të Shqipërisë dhe dënimet nëpër botë

Përdoruesit e drogës në Shqipëri dënohen si trafikantë. Specialistë të ligjit thonë se mungesa e specifikimeve në Kodin Penal, për sasinë e drogës që mund t’u gjendet përdoruesve kur arrestohen, lë hapësira për dënime të ekzagjeruara. Konkretisht, bëhet fjalë për nenet 283-266.

Nenet 283-286/a përcaktojnë sanksione serioze për personat, që kryejnë krime në lidhje me drogën. 5-10 vjet burg për prodhimin, shitjen, shpërndarjen dhe posedimin e drogave; dhe 7-15 vjet për trafikim. Ndërkohë që, posedimi i një ‘doze ditore’ drogë për përdorim personal nuk ndëshkohet.

Por, çfarë sasie përcaktohet si dozë ditore? Në ligjin tonë nuk është e specifikuar kjo sasi.

Vende të tjera në botë i kanë të detajuara përcaktimet. Për shembull, në Gjermani, doza konsiderohet deri në 2 gram heroinë, ose kokainë, ose 10-20 tableta ekstazi (në varësi të landit). Në Spanjë, praktika gjyqësore konsideron dozë deri në 3 gram heroinë, 5 gram kokainë dhe 30-50 doza të LSD. Në Finlandë, deri në 3 gram të amfetaminave, 10 tableta ekstazi, 1 gram heroinë ose 1,5 gram kokainë.

Masa e dënimit për këto sasi, në këto vende, mund të jetë gjobë, ose punë e papaguar në komunitet.

Ndërkohë, në Shqipëri, shpesh sasia e drogës së konfiskuar i lë hapësira Gjykatës në vendosjen ndërmjet minimumit apo maksimumit të dënimit për shkeljen e ligjit.

Top Channel