Personat me probleme mendore

20/06/2014 00:00

Për të sëmurët me probleme mendore është inauguruar paraditen e së premtes shtëpia dykatëshe, e cila do të shërbejë për strehimin dhe rehabilitimin e tyre.

Shtëpia e ndërtuar brenda territorit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, synon të strehojë 16 persona.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, dhe përfaqësues të komunitetit “Saint’Egidio”, të cilët kanë kontribuar në këtë projekt, kanë qenë të pranishëm për të hapur dyert e qendrës në ndihmë të personave me probleme mendore.

“Sot është fillimi praktik i një ere të re për shëndetin mendor në Shqipëri. Kjo qasje e re e shëndetit mendor, për të nxjerrë të sëmurët mendorë nga spitali psikiatrik, sipas një mënyrë të hershme dhe tradicionale klasike në këto shtëpi familje, në kushte sa më normale, i ka dhënë të prekshme rezultatet. Ne jemi shprehur qartë në programin tonë qeverisës, me zotimet tona, se qendrat shëndetësore nuk janë vetëm qendra ku njerëzit të kurohen, por janë qendra ku shoqëria shqiptare do të duhet të mëshirojë edhe solidaritetin social”, u shpreh Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë.

Qendra, e cila ka kaluar nën administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë, hap rrugën për krijimin e një figure të re profesionale, si operatori shtëpiak, e cila do të jetë mbështetje e shërbimit mendor, por edhe social.

Top Channel