“Kapitulli i Dytë” në Korçë

03/05/2014 00:00

Në teatrin “Andon Zako Çajupi” të qytetit të Korçës është vendosur premiera “Kapitulli i Dytë” nga trupa e teatrit të këtij qyteti në bashkëpunim me një regjisor të ri, Qëndrim Rijani.

“Kapitulli i Dytë” ka risjellë në skenë edhe aktorin Sotiraq Bratko, i cili është rikthyer pas më shumë se 20 vitesh.

Aktoria Zamira Kita dhe regjisori Qëndrim Rijani kanë folur në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për pritshmërinë që ka pasur kjo premierë, por edhe për projekte të tjera të ngjashme.

Pandi Gjata: Si ishte premiera “Kapitulli i Dytë” dhe si u prit nga publiku në Korçë?

Zamira Kita:
Ndonëse premiera ka qenë mbrëmë, sot ishte nata e tretë, pasi prova gjenerale ishte me publikë, kemi 3 net që përjetojmë emocione të papërsëritshme. Më besoni është një nga premierat më të bukura që është vënë në teatri “Andon Zako Çajupi” në të gjitha vitet. Unë personalisht ndjehem shumë mirë pasi kam një nga rolet kryesore. Dëshiroj të përshëndes edhe Qëndrim Rijanin, i cili ndonëse është i ri në moshë ka sjellë diçka speciale, shumë të veçantë. “Kapitulli i Dytë” ka risjellë në skenë Sotiraq Bratkon, atë tirkën e famshëm te “Zonja nga Qyteti” që publiku e njeh një djalë të ri çapkën, kësaj here e shikon me një dramacitet të plotë, por edhe me humor njëkohësisht dhe për mua ka qenë një suport mjaft i rëndësishëm. Për mua “Kapitulli i Dytë” kanë qenë Blerta Belliu dhe Mateus Frroku, dy të rinj sepse pa ta teatri mbaron, ata janë freskia e tij. Ne të katërt besoj që kemi përcjellë një shfaqe shumë të mirë për publikun e Korçës, i cili e ka pritur mirë. Është një zgjidhje që ndoshta nuk është parë në teatrin tonë. Është një teatër dhome, shumë pranë publikut, ne kemi përcjell dhe kemi marrë emocion.

Pandi Gjata: Do të na bashkohet në bisedë edhe Qëndrim Rijani, regjisori i kësaj drame. Si ishte kjo eksperiencë në Koçë?

Qëndrim Rijani:
Korça, kryeqendër e kulturës na ka falur, përveç emocioneve të punës, na ka falur edhe emocione pas saj.

Pandi Gjata: Korça të bën t’i rikthehesh sërish, ke plane të tjera?

Qëndrim Rijani: Shfaqa kishte sukses dhe Zamira ka propozuar që unë të kem edhe një projekt tjetër vitin e ardhshëm.

Pandi Gjata: Trupa e Korçës kur do të shkojë në Maqedoni?

Qëndrim Rijani: Vizitën e parë shfaqa do ta ketë në Tiranë dhe më pas të shohim për në Shkup, Prishtinë dhe Tetovë dhe të shohim si do të na jepet përgjigja e Organizatës Botërore të Teatrit, ku unë kam aplikuar.

Pandi Gjata: Zamira, kemi zezonin turistik që do të çelet në Korçë shumë shpejt. Çfarë do të ofrojë Korça në jetën kulturore për të gjithë ata që do ta vizitojnë.

Zamira Kita: Ne do të kemi vërtet shumë aktivitetet, ndërkohë kjo është premiera e tretë që ne kemi në këtë sezon që nga Janari dhe do të vazhdojmë në Maj me një recital me humor, i përgatitur nga unë dhe nga Albano Prodani dhe në Qershor na rikthehet Arben Dervishi për të patur një tjetër premier me humor. Duam që këto muaj të pranverës t’i kemi me humor, këngë, variete sepse ka shumë turist në Korçë, të cilët fundjavën mund ta kalojnë këndshëm. Në 7 Qershor ne do të kemi edhe festën e madhe të karnavaleve, e cila do të jetë një festival edhe me trupa të huaja. Në gusht kulmojmë me “Festën e Birrës”.

Top Channel