Mbledhja e përbashkët e dy qeverive

11/01/2014 00:00

Ora 11 e së shtunës shënoi kohën kur autobusi me të cilin udhëtoi qeveria e Shqipërisë nga Tirana ndaloi në qytetin e Prizrenit për t’u takuar me qeverinë e Kosovës në mbledhjen e shumë pritur të përbashkët.

Ishte kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ai i cili iu kthye historisë së dhimbshme të kombit shqiptar, duke filluar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, kur përfundimisht kufiri i Kosovës me Shqipërinë u thye dhe shqiptarët sot janë të lirë.

“Kjo mbledhje e dy qeverive tona është një dëshmi dhe respekt ndaj heronjve tanë të periudhave të ndryshme, se mundi, djersa dhe gjaku i dëshmorëve po respektohet. Por, ne nuk jemi këtu sot për të evokuar të kalurën, por për të punuar për të ardhmen. Duhet të përpiqemi të kemi rritje ekonomike më të lartë, investime të huaja, punësim më të madh, pensione më dinjitoze, sistem shëndetësor dhe arsimor të standardeve europiane, si dhe një përkujdesje sociale dinjitoze për qytetarët. Duhet t’i kapitalizojmë mundësitë e jashtëzakonshme që na ofrohen nga përmirësimi i infastrukturës fizike ndërmjet dy vendeve. Konkretisht, Rruga e Kombit duhet të rezultojë me një qarkullim më masiv të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve ndërmjet vendeve tona. Po ashtu, ndërtimi i linjës së interkonjeksionit duhet të përkthehet në një integrim të dy sistemeve energjitike të Kosovës dhe Shqipërisë. Ka vullnet të bollshëm politik, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, që marrëdhëniet mes nesh të jenë shembull për rajonin dhe më gjerë, ndaj nevojiten veprimtari të tilla si kjo e sotmja”, deklaroi Thaçi.

Për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ajo çfarë i bashkoi dy qeveritë është kontributi i tyre për integrimin rajonal në Europën e bashkuar. Por Rama u ndal edhe te kritikët e këtij bashkëpunimi. Ai tha se mbledhja e përbashkët nuk ka përse të trembë askënd, pasi shqiptarët do ta mbajnë besën e dhënë, siç tha ai, për SHBA-të dhe Bashkimin Europian që kufijtë të mos ndryshojnë.

“Nëse mbledhja e përbashkët të dy qeverive të një kombi të shtrirë në dy shtete bëhet arsye trembjeje apo inkurajimi për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, duhet ta them që në fillim, fort dhe qartë se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm, si një vijë që na kujton qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë, apo përpjekjen heroike, që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë, atyre pa të cilët Kosova e lirë dhe e pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimin Europian”, theksoi Rama.

Në mbledhjen, e cila vazhdoi punimet me dyer të mbyllura, qeveritë kishin para vetes një rend dite prej 13 pikash. Marrëveshja për lehtësime tregtare dhe ajo për bashkëpunim në fushën e transportit dhe infrastrkutrës morën firmat e ministrave përkatës.

Disa propozime dhe ide janë diskutuar në këtë mbledhje dhe njëra ndër to ka të bëjë me bashkëfinancimin e festivalit të filmit dokumentar Doku Fest. Qeveria e Kosovës ndërkaq propozoi idenë për themelimin e fondit zhvillimor për Luginën e Preshevës.

Dokumenti më i rëndësishëm i takimit, Deklarata e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës u nënshkrua nga kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi.

Në këtë deklaratë kryeministrat konfirmojnë angazhimin për çështje që kanë të bëjnë me  politikat e jashtme dhe të sigurisë. Qeveria e Shqipërisë ofroi mbështetje për avancimin e dialogut të nisur mes Kosovës dhe Serbisë, si një kontribut i drejtëpërdrejtë dhe kryesor në dobi të qytetarëve, për forcimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në rajon e më gjërë.

Drejtësia, ekonomia, energjia, transporti, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit janë fusha në të cilat është shprehur vullneti për të bashkëpunuar. Sipas kësaj deklarate, mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive do të mbahen çdo vit në bazë të një kalendari të rregullt dhe mbi parimin e rotacionit. Komisione përkatese do të ngrihen për zbatimin e gjithë asaj që arrihet. Qeveritë kanë vendosur që mbledhja e radhës të mbahet në maj apo qershor në qytetin e Vlorës.

Marrëveshjet në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit
Kryeministrat Thaçi e Rama firmosin në oborrin e ndërtesës historike

Pas mbledhjes, ministrat e dy qeverive dhe kryeministrat Hashim Thaçi e Edi Rama u zhvendosën në oborrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në konferencën e përbashkët për media, dy kryeministrat vunë firmat mbi Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim, ndërsa ministrat mbi dy marrëveshjet e arritura, atë për lehtësime tregtare dhe bashkëpunim në fushën e transportit dhe infrastrukturës.

“Dua ta filloj nga deklarata e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik, që është guri i themelit të një strategjie të përbashkët për hartimin, miratimin dhe zbatimin e politikave të përbashkëta në planin politik, ekonomik, social dhe kulturor”, deklaroi Rama.

“Në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë dy qeveritë do angazhohen për intensifikimin e bashkëpunimit për çështje me interes të ndërsjellë, ku përfshihen: bashkërendimi dhe angazhimi i Kosovës në iniciativat rajonale, koordinimi për proceset integruese, thellimi i bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe mbështetjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha nga ana e tij Thaçi.

Shumë procese për avancimin e raporteve mes Kosovës dhe Shqipërisë duket se morën udhë në takimin e Prizrenit. Por përveç bashkëpunimit të ndërsjellë qeveritë u zotuan për përgjegjësi të plotë për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të dy vendeve.

Në mbledhje u mor vendimi për ndërtimin e spitalit të maternitetit në Luginën e Preshevës dhe u nda fondi humanitar për përmirësimin e mirëqënies sociale për qytetarët që jetojnë atje. Por ndërsa për ndërtimin e spitalit të lindjes duket se dy qeveritë ndanë 100 mijë euro, kryeministrat nuk e konkretizuan idenë e fondit humanitar. Ata që thanë se bëhet fjalë për një fond të hapur ku mund të kontrobuojnë të gjithë.

“Ne kemi akorduar bashkarisht 100 mijë euro për maternitetin, sikundër kur flasim për fondin zhvillimor, që do të jetë një fond i hapur ku jo vetëm qeveritë por edhe institucione, sipërmarrje e individë mund të marrin pjesë”, saktësoi Rama.

Ky ishte një ndër vendimet e paralajmëruara të kësaj mbledhjeje, ndërkohë që kjo ngjarje, e cilësuar “historike” nga të dy kabinetet, entuziamoi edhe qytetarët. Të gjitha rrugët që çonin drejt objektit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishin mbushur me njerëz.

“Është një prej ditëve më historike. Prizreni di gjithnjë ta bashkojë popullin shqiptar. Ndjej një kënaqësi të madhe sepse vijnë vëllezërit prej Shqipërisë dhe i mirëpres”, tha një qytetar.

“Këtë ditë e kemi pritur me shekuj. Jam i lumtur dhe përshëndes të gjithë shqiptarët, në diasporë e kudo që janë”, u shpreh një tjetër.

Me gjithë angazhimin e forcave policore, duke filluar nga orët e paradites kur ato kujdeseshin për një ambient të sigurt, incidentet edhe në këtë ditë nuk munguan. Policia e Kosovës shoqëroi një person në polici i cili lëshonte fletushka dhe fliste për bashkim kombëtar gjatë kohës që zhvillohej mbledhja.

Mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë zhvillohet pak kohë pasi kryeministri Edi Rama vizitoi Kosovën, nga ku dolën ide për forcimin e raporteve bilaterale. Që atëherë vendi i takimit nuk ishte sekret.

Autoritetet e të dyja vendeve donin të sillnin një bashkim të dytë të shqiptarëve, në Prizrenin historik, në vendin e lindjes së lëvizjes së parë mbarëshqiptare, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 1878, për formimin e një shteti autonom shqiptar.

Top Channel