Gjatë një takimi me drejtorët rajonalë të ALUIZNI-t, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni tha se qeveria është e vendosur të realizojë procesin e legalizimeve falas.

“Praktika e deritanishme e dështuar e legalizimeve ka thyer besimin te qytetarët që mund të legalizojnë pronat apo pasuritë e tyre. Mendoj se kemi një përgjegjësi shumë të madhe, që pas 23 viteve, kësaj gjeje t’i jepet fund dhe procesi i legalizimeve të jetë një proces jo kaq burokratik dhe i stërzgjatur, por një proces institucional, i mirëkoordinuar dhe që secili qytetar të marrë atë të drejtë që i takon”, tha Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban dhe  Turizmit.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame theksoi nëvojën e ndryshimit të skemës së vlerësimit të trojeve në ndryshimet ligjore që do të paraqiten në muajin janar.

“Sot qytetari i Kukësit që do të bëjë një legalizim duhet të paguaj truallin njëlloj si legalizimi që do bëhet në Tiranë. Përfundimi, askush në Kukës nuk bën legalizim. Zgjidhja që ka gjetur drejtoria deri tani, le të rrinë atje siç kanë qëndruar 8 vjet. Do e mbyllim këtë duke ndryshuar skemën e vlerësimit të trojeve duke e kategorizuar sipas zonës, vendit, qarkut dhe vlerës që ka”, tha Lame.

Zoti Lame thotë se institucioni është në gjendje të vështirë financiare për shkak të borxhit të akumuluar nga qeveria paraardhëse e cila nuk ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për qindra punonjës.

Top Channel