“Shkatërrimi i armëve, i mundshëm”

14/11/2013 00:00

Fadil Vuçaj, ish-koordinator i Projektit të Demontimit të Kimikateve
Ushtarake të Shqipërisë në 2001 dhe 2007, specialist kimik dhe biokimik,
në një intervistë për Top Channel ka hedhur dritë mbi këtë proces të
zhvilluar në Shqipëri dhe mbi teknologjitë e përdorura në atë kohë.

“Në vitin 2002, me vullnet politik, u bë deklarimi i tyre në organizatën e ndalimit të armëve kimike në Hagë dhe në bashkëpunim me Qeverinë amerikane, ky proces filloi për t’u realizuar në Shqipëri. Teknologjitë sot janë tre që përdoren, teknologjitë me djegie, teknologjitë me neutralizim dhe teknologjitë me formë plazme. Në vitin 2001 kemi shkatërruar agjentë toksikë rreth 20 tonë. Atje kemi përdorur teknologjinë e shkatërrimit në formë plazmë. Ndërsa në vitin 2007 ne kemi bërë teknologjinë me djegie, pasi për agjentët kimikë që ishin aty, duhej përdorur kjo teknologji dhe jo tjetër. Në këtë proces kanë marrë pjesë vendas dhe ndërkombëtarë, por barra kryesore ka qenë e palës amerikane”, tha Vuçaj.

I pyetur lidhur me debatin për ardhjen e armëve kimike Siriane në Shqipëri, Vuçaj është shprehur se Shqipëria e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka të gjithë kapacitetin për ta kryer këtë proces.

“Kam treguar se si ne shkatërruam 16 tonë dhe kanë treguar se si këta 16 tonë u shkatërruan pa asnjë ndikim në mjedis, sepse u bënë analizat e mjedisit para fillimit të procesit dhe pas përfundimit të procesit. Doli që impakti në mjedis ishte zero dhe nisur nga këto që unë po ju them përse mos shkatërrohen në Shqipëri. Ka ardhur koha dhe momenti, mendoj unë, që t’i tregojmë edhe opinionit botëror dimë të bëjmë gjëra të mëdha, ashtu siç i kemi bërë”, u shpreh Vuçaj.

Ish-Koordinator i Projektit te Demontimit te Kimikateve Ushtarake te Shqiperise i është përgjigjur dhe grupeve që janë kundra demontimit të armëve kimike në vendon ton duke argumentuar.

“Dhe unë do t’ju thoja të gjithë njerëzve që neve të veprojmë në këtë mënyrë të bëjmë një tymnajë, të krijojmë një panik tek njerëzit dhe kam lexuar që shumë ekspertë thonë që 0.05 miligramë për litër është vdekjeprurës për njerëzit. Po, janë shumë të rrezikshme, biles janë më të rrezikshme sa flitet, por gjithë kapaciteti i punës që bëhet, gjithë përpjekjet që bëhen, të gjithë koordinimi jo vetëm kombëtar por edhe i atyre ndërkombëtar mendoj që do ta çojë procesin drejt një suksesi”, thekson Vuçaj.

Në fund të intervistës Vuçaj i pyetur lidhur me vendin më të mundshëm për të kryer këtë proces, ka përjashtuar në mënyrë kategorike Elbasanin, pasi sipas tij, të gjitha efektet e ndotjes së ardhur nga Metalurgjiku do t’i viheshin procesit të demontimit. Ai ka sugjeruar se baza e Qafë-Mollës është vendi më i parshtatshëm për këtë proces.

Top Channel