Tokat bujqesore, përmbytja shkatërron prodhimin

30/10/2013 00:00

Disa dhjetëra fermerë në komunën Lunxhëri prej vitesh shohin se si
prodhimi i tyre shkarërrohet prej përmbytjes së tokës bujqësore në
luginën e Drinos.

Shkak i përmbytjes sipas tyre është shkatërrimi i digës disa kilometra të gjatë e ndërtuar gjatë viteve 80 që në atë kohë e shndërroi këtë tokë në produktive. Janë të paktën 80 ha tokë në pronësi të fshatit Karjan që qëndrojnë nën ujë për rreth 5-6 muaj në vit duke dëmtuar të gjithë prodhimin, në drithëra, vreshtari dhe foragjere.

Diga e cila ishte ndërtuar për të mbajtur larg ujërat e përroit të karjanit dhe lumit Drino prej tokës bujqësore është shkatërruar përgjatë gjithë gjatësisë së saj, kanali kryesor i kullimit gjendet i bllokuar prej vitesh ndërsa lartësia e ujit në tokat e kultivuara ka arritur në periudha të caktuara të vitit deri në 1,5 m duke përmbytur të mbjellat dhe vreshtat.

Vaso Vasi fermer i zonës prej vitesh është duke humbur prodhimin e tij të grurit dhe drithërave të tjera pikërisht prej përmbytjes. Ai thotë se asnjë prej fermerëve nuk ka asnjë garanci për të punuar tokën dhe askush nuk mund ta dëmshpërblejë për humbjet.

Punimet për ndërtimin e digës që kanë nisur historikisht vetëm në prag zgjedhjesh janë lënë në harresë menjëherë më pas duke kërcënuar mbijetesën e fermerëve në këtë zonë. Komuna Lunxhëri në Gjirokastër disponon hapësirë të gjerë të tokës bujqësore të ndarë sipas ligjit 7501. Megjithëse banorët priren ta kultivojnë tokën në masën gati 80% garancitë për kullimin, vaditjen, subvencionimin dhe asistencën teknike kanë qenë minimale.

Top Channel