Selisë së PSD i del ‘pronari’

29/10/2013 00:00

Përmbarimi dhe përfaqësues të policisë private janë konfliktuar ditën e
sotme me policinë e shtetit para zyrave të Partisë Socialdemokrate pas
një aksioni të ndërmarrë mëngjesin e sotëm nga ana e përmbarimit për të
ekzekutuar vendimin e Gjykatës, sipas të cilës godina duhet të lirohet
dhe t’i kthehet ish-pronarit.

Konflikti mes dy policive ka ndodhur kur përfaqësues të policisë private kanë bllokuar zyrën e PS dhe nuk i janë përgjigjur urdhrit të policisë së shtetit për ta liruar atë, me argumentin se po zbatojnë vendimin e gjykatës.

Në këto kushte disa prej policëve private dhe përfaqësuesve të përmbarimit janë shoqëruar në polici nga ana e efektiveve të shtetit.

Nga ana e tij kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, i cili nuk është lejuar në orët e mëngjesit të hyjë në selinë e partisë së tij, e ka cilësuar aksionin për lirimin e godinës si ‘veprime banditeske të qeverisë së mëparshme’.

“Godinën e selisë së PSD-së kërkojnë ta marrin me dokumente të falsifikuara. Disa banda ish-qeveritare kanë akoma kurajën dhe nuk ju dridhet qerpiku as me dokumente false. Të gjitha vendimet e gjykatave janë në favor të Partisë Socialdemokrate. Përmbaruesit privatë po shkelin ligjin. Personi që kërkon godinën nuk është ish-pronar. Ai ka 5 vjet në gjyq dhe i ka humbur të gjitha seancat”, është shprehur Gjinushi.

Top Channel