Dy arrestime për incidentin e pallatit

29/10/2013 00:00

Inxhinieri dhe kontrollori teknik i pallatit 8-katësh ku ditën e hënë humbën jetën dy punëtorët pas rënies nga një lartësi e madhe, u arrestuan nën akuzën e mosmarrjes së masave të sigurisë teknike në punë.

Sipas njoftimit të uniformave blu, në pranga ka përfunduar shtetasi 53-vjeçari N.M, me profesion inxhinier dhe kontrollori teknik Xhetan Beqiri, 50 vjeç.

Dy punëtorët, Muhamet Zamka dhe Agron Vellko humbën jetën, pasi ranë nga kati i tetë i pallatit ku ishin duke punuar rreth mesditës së hënë. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Dora d’Istria” në kryeqytet, në afërsi të Gardës së Republikës në Tiranë.

Për shkak se lartësia ka qenë e madhe, njëri prej punëtorëve ngeli i vdekur në vend pas përplasjes, ndërsa tjetri u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, por nuk arriti dot t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra.

Në bazë të hetimeve paraprake, del se shkak i aksidentimit të dy punëtorëve, banues në Bathore, ka qenë këputja e skelës.

Policia fillimisht shoqëroi drejtuesit teknik të pallatit për të mësuar më shumë të dhëna rreth ngjarjes. Një inspektim të vendngjarjes janë duke bërë edhe inspektorët e ISHP-së për të parë nëse janë zbatuar kushtet e sigurisë në punë. Të dy viktimat ishin të martuar. Njëri prej tyre kishte gjashtë fëmijë.

Top Channel