Vrasje e dyfishtë në Peshkopi

19/10/2013 00:00

Dy krime të rënda janë verifikuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në dy lokalitete të ndryshme të vendit.

Në rastin e parë bëhet fjalë për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Peshkopi, në fshatin Palama të komunës Silov. 25-vjeçari Liri Ndreu ka vrarë kunatën e tij, 35-vjeçaren Valbona Ndreu dhe më pas është vetëvrarë.

Policia tha se ngjarja ka ndodhur në prani të dy fëmijëve të mitur të gruas së ekzekutuar, ndërsa po hetohet për motivet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

Rasti i dytë është verifikuar ndërkohë në fshatin Sukagj të qarkut të Lezhës, ku një 60-vjeçar është qëlluar me armë zjarri për motive të dobëta.

Burime policore lokale njoftojnë se uniformat blu, me të mbërritur në vendin e ngjarjes kanë identifikuar si viktimën, ashtu edhe autorin e krimit.

Sipas burimeve, viktima është shtetasi Mark Jaku, ndërsa si autor dyshohet Petrit Dushi, i cili është shpallur në kërkim. Nga kontrollet e para rezulton se Dushi ka qenë i dënuar më parë me 20 vjet burg.

Katër ditë më parë një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Gjirokastrës në orët e pasdites, ku një grua mbeti viktimë e bashkëshortit, i cili pas vrasjes qëlloi edhe mbi veten.

Pas një konflikti të çastit, Nexhmi Mustafaraj, 57 vjeç, vrau me pistoletë bashkëshorten Zenelbije Mustafaraj, 49. Policia njoftoi se ngjarja ndodhi në dhomën e gjumit të çiftit që jetonte në një pallat në lagjen “18 Shtatori”, ndërsa skenën e krimit e pa edhe vajza e tyre 25-vjeçare.

57-vjeçari kishte punuar më parë si polic privat dhe së fundi prej disa muajsh ishte punonjës i Bashkisë Gjirokastër, ku shërbente si grumbullues i taksës së hapësirës në treg.

Të njëjtën ditë një 60-vjeçar u vra me armë zjarri në Tropojë. Autoritetet lokale njoftuan se, viktima u identifikua si shtetasi Rexhep Hoxha, i cili ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Mendohet se konflikti për pronën u bë shkak për vrasjen e 60-vjeçarit. Përplasja mes viktimës dhe autorit të krimit, sipas policisë, kishte nisur për ndarjen e plantacioneve me gështenja.

Top Channel