Gjirokastër, universiteti bashkëpunim me Italinë

04/09/2013 00:00

Universiteti i Gjirokastrës dhe ai i Maceratës në Itali kanë lidhur një
marrëveshje bashkëpunimi shkencor dhe didaktik që rregullon zhvillimin e
funksioneve institucionale të mësimdhënies dhe hulumtimit.

Të dy palët të përfaqësuara nga rektori i Universitetit të Gjirokastrës Gëzim Sala dhe prof. Roberto Perna për palën italiane kanë diskutuar rreth aksioneve të nevojshme që duhen nxitur në këtë kuadër. Universitetet do të mundohen të promovojnë dhe të aktualizojnë planet e kërkimit që lejojnë studimin e krahasuar të kulturave përkatëse nën aspektin e Shkencave Humane, të Gjuhës dhe të Kulturës së këtyre vendeve.

Universitetet u angazhuan për shkëmbimin e rregullt të botimeve dhe të materialeve kërkimore si dhe takimet e studimit, seminaret, kurset dhe konferencat. Në këtë kuadër u ra gjithashtu dakord të kryhen kurse të përbashkëta studimi, diplomimi, magjistrale, doktorata, master të nivelit të parë dhe të dytë, si dhe dhënien e titujve të bashkangjitur.

“Universitetet tona do të nisin një shkëmbim docentësh, kërkuesish dhe teknikësh gjatë harkut kohor të përmendur në marrëveshje, duke pasur parasysh kualifikimin dhe formimin e personelit të interesuar, të planeve të studimit dhe të nevojave didaktike dhe shkencore të të dyja Universiteteve. Jemi shumë të kënaqur me marrëveshjen sepse edhe studentët tanë do të vijojnë të kryejnë praktikat mësimore në tërren këtu në Gjirokastër,” thotë profesor Roberto Perna, Universiteti i Maceratës.

Bashkëpunimi mes 2 universiteteve ka nisur gati 12 vjet më parë dhe palët kanë realizuar deri tani një rradhë projektesh të sukseshme në fushën e trashëgimisë, arkeologjisë dhe historisë.

Top Channel