KQZ: Do ndëshkohen komisionerët

26/07/2013 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që u investua në një proces të
rinumërimit të plotë të të gjitha votave në dy qarqe të vendit, ka
besimin se kjo procedurë do të ndikojë në dhënien fund të deformimit të
votës nga komisionerët.

Institucioni më i lartë zgjedhor deklaroi në përfundim të këtij procesi, se pavarësisht se rinumërimi nuk ndryshoi asnjë mandat në të dy qarqet dhe rrëzoi pretendimin e PR në Shkoder mbi kerkesen e se ciles u hapën kutitë e këtij qarku, ajo që do i shërbejë procesit është ndëshkimi i komisionerëve që kanë lejuar deformimin qoftë edhe të një vote të vetme.

“Ndërmarrja e kësaj veprimtarie të hetimit, thellimi i këtyre dy procedurave hetimore administrative dha jo vetëm impakt për sa i përket transparencës dhe besueshmërisë së procesit, por mbi të gjitha provoi se në zbatim korrekt të ligjit me vullnetin për t’i shërbyer sa më mirë procesit, çdo manipulim i rezultateve të zgjedhjeve dhe vullnetit të shqiptarëve të shprehur me votë, evidentohet dhe do të marrë ndëshkimin ligjor të merituar. Shprehim bindjen se ky rol aktiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i shërbejë forcimit të kulturës së ndëshkueshmërisë, do të japë mësimin e merituar për cdo komisioner që në mënyrë jo ligjore merr përsipër të manipulojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë”, tha zëdhënësja e KQZ-së.

KQZ, qe shprehu vullnetin e plote ne ndeshkimin sipas ligjit te komisionereve, qe sipas saj kane lejuar deformimin e votes, nuk deklaroi se kur do te behet kallezimi penal ndaj tyre.

Top Channel