Burgaj: Nuk kompromentohet hetimi

27/02/2013 19:50

Drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj ka reaguar në Top Channel pas publikimit të fotos së drejtuesve më të lartë të policisë me Arben Frrokun, i dyshuari kryesor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Në një intervistë telefonike, zoti Burgaj ka deklaruar se kjo foto nuk e kompromenton hetimin.

TCH: Zoti Burgaj, keni dijeni kur është bërë kjo foto?

Burgaj: Siç më informuan kolegët, kjo foto ka rreth 2 vite që është bërë, që e kanë kërkuar në një drekë të këtyre shokëve.

TCH: Keni dijeni nëse drejtuesit e policisë në foto kanë marrëdhënie me shtetasin Arben Frroku?

Burgaj: Nuk do ta quaja të rëndësishme këtë pjesë, edhe sikur ndonjë nga kolegët të ketë njohje me të dyshuarin. Në momentet e njohjes ai nuk ka pasur preçedentë me policinë. Në kushtet që jemi sot, ne kryejmë detyrën dhe zbatojmë ligjin deri në zbardhjen e ngjarjes. Nuk do ketë asnjë ndikim.

TCH: Me kë do zvëvendësohen drejtuesit e policisë pas dorëheqejs së tyre nga hetimi mbi vrasjen e Lamaj?

Burgaj:
Policia e Shtetit nuk vuan nga mungesat, ajo ka rreth 10 mijë vetë, ka ekspertë dhe oficerë të policisë gjyqësore që këtë çështje do ta çojnë deri në fund. Veprimi i zotit Kulicaj dhe zotit Vocaj është çështje e tyre, kështu e perceptojnë ata para opinionit publik. Ata kanë punuar me intensitet për zbardhjen e ngjarjes dhe nuk kanë patur asnjë lloj ndikimi të këtyre natyrave që përfliten. Megjithatë, është një vendim personal që unë e miratoj.

TCH: A keni qenë në dijeni të kërcënimeve me jetë që ka patur kryekomisar Lamaj?

Burgaj: Veç konfliktit të hapur mediatik, nuk ka absolutisht asnjë shkresë zyrtare e asnjë këresë të tij për takim me mua apo vartësit e mi për këtë çështje.

TCH:
Edhe zëvendësshefi i komisariatit numër 6 është kërcënuar, cili është pozicioni juaj për këtë?

Burgaj:
Janë çështje në hetim dhe nuk është komode për mua të bëj komente.

TCH:
A është kërcënuar zoti Arapi?

Burgaj:
Ka patur një mesazh që po hetohet. Nuk komentoj asgjë më shumë. Çështjet do shkojnë deri në fund.

TCH:
A do merret në mbrojtje zoti Arapi?

Burgaj: Deri tani kemi zbatuar të gjitha proçedurat ligjore.

Zoti Burgaj nuk dha detaje lidhur me provat e hetimit mbi ekzekutimin e kryekomisar Dritan Lamajt, duke u shprehur se ato do të paraqiten që të gjitha në gjykatë.

Top Channel