Serbi, palët dakord për platformën

09/01/2013 00:00

Krerët e shtetit serb kanë rënë dakord për të gjitha dokumentet e Serbisë lidhur me Kosovën, ku insistohet një autonomi për pakicën serbe.

Në një mbledhje të paralajmëruar, por jo shumë publike, presidenti dhe qeveria kanë rënë dakord për strategjinë e tyre, e cila nuk do të shkojë në publik, por vetëm tek deputetët në Kuvend. Platforma serbe do të jetë një dokument obligues.

“Serbia ka treguar që mund të jetë njëzëri dhe të heqë dyshimet kur është fjala për Kosovën. Ka kaluar shumë kohë dhe ajo që po kërkojmë tani është minimumi i asaj që mund të kishim fituar dikur, por maksimumi që mund të fitojmë për disa vjet”, ka thënë presidenti Tomisllav Nikoliç.

Kryeministri Ivica Daçiç ka thënë se serbët e Kosovës nuk është dashur ta dëgjojnë Beogradin, por është dashur të krijojnë një lloj autonomie të tyren prej kohësh.

“Kemi nevojë për institucionet serbe në Kosovë, por na duhen edhe institucione që njihen nga serbët dhe nga Prishtina dhe me këtë propozim mund të zgjidhet paralelizmi i institucioneve”, ka thënë Daçiç.

Top Channel