Humb jetën gjyqtari, FSHF shtyn Superioren

11/11/2012 00:00

Dy të vdekur dhe pesë të plagosur ishte bilanci i përplasjes se dy mjeteve që udhëtonin në kahe të kundërta në orët e para të mëngjesit në aksin Gjirokastër – Kakavijë.

Dy shtetas kanë humbur jetën dhe 5 të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë të ndodhur rreth orës 03.30 min në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë në vendin e quajtur  Kthesa e Kordhocës shumë pranë fshatit Lazaratit.

Policia konstatoi në vendngjarje se automjeti  me targa AA 740 BP, që drejtohej nga shtetasi Glodian Vargu, 29 vjeç nga Lezha  është përplasur me automjetin me targa Gj 254 A, që drejtohej nga shtetasi  Ritvan Ponde 35 vjeç nga Gjirokastra i cili po lëvizte nga Gjirokastra për Kakavijë.

Në njërin automjetin udhëtonin përvec drejtuesit të mjetit dhe tre shtetas të tjerë, konkretisht shtetasit Edvin Hoxha 35 vjeç nga Lezha , gjyqtari kryesor i ndeshjes Luftëtari – Kastrioti që u zhvillua të shtunën  në Gjirokastër, Ridiger Çokaj 28 vjeç nga Lezha , gjyqëtari anësor  si dhe Rigers Pjetrushi 32 vjeç gjyqtari i katërt i ndeshjes.

Ndërsa në automjetin tjetër udhëtonin shtetasi Xhemal Lamko 60 vjeç nga Gjirokastra, Adriatik Liti  61 vjeç nga Gjirokastra si dhe Ilirjan Xhemali 53 vjeç nga Gjirokastra.

Si pasojë e përplasjes automjeti i këtyre të fundit ka dalë nga rruga duke rënë në kanalin anësor të rrugës. Nga përplasja e dy automjeteve kanë humbur jetën pas rreth gjysmë ore  në spital dy nga pasagjerët dhe konkretisht shtetasi  Rigers Pjetrushi  32 vjeç nga Lezha pasagjer tek automjeti shtetasi Ilirjan Xhemali.
 
Ndërsa 5 shtetasit e tjerë të përfshirë në aksident janë plagosur, por janë jashtë rrezikut për jetën momentalisht. Sipas hetimeve paraprake ka rezultuar se shkaku i aksidentit me pasojë vdekje është humbja e kontrollit të automjetit ku udhëtonin gjyqtarët.

Aksident në Lushnje, tre të plagosur

Një aksident automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës  në rrethinat e Lushnjes. Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Rrogozhinë-Lushnje pranë fshatit Dushk.

Dy automjete janë përfshirë në këtë aksident. Makina tip Benz me targa AA 770 EU e drejtuar nga shtetasi Gentjan Daja 32 vjec i cili udhetonte në makinë me Julian Shehun 35 vjeç nga Lushnja ka goditur nga pas mjetin tip BMË me targa AA938DD i drejtuar nga shtetasi Olsi  Mingomataj ku së bashku në mjetin e tij udhëtonte dhe Ana Preka 30 vjeçe.

Si pasojë e këtij aksidenti janë plagosur tre persona Gentian Daja, Olsi  Mingomataj dhe shtetasja Ana Preka e cila ishte dhe shtatzanë, por fatmirësisht nuk ka patur probleme serioze.

Sipas policisë shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia tepër e lartë me të cilën udhëtonte mjeti tip Benz. Edhe pse frenimi ka qenë i gjatë nuk është mundur të shmangej goditja e mjetit tjetër.

Aksidenti, FSHF ndërpret kampionatin

Ndeshjet e javës së 10-të të Superligës janë ndërprerë për shkak të ngjarjes së rëndë që ka ndodhur me katërshen e gjyqtarëve të ndeshjes Luftëtari-Kastrioti, ku në kthim nga Gjirokastra, ata janë aksidentuar dhe ka humbur jetën gjyqtari Rigers Pjetrushi 32 vjec nga Lezha.

Menjëherë sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ka zhvilluar një mbledhje urgjente mëngjesin e së dielës duke shtyrë tre ndeshjet e parashikuara për t’u luajtur sot, për një datë tjerë.

Sot do të luhej Skëndërbeu-Flamurtari, Kukësi-Besa dhe Laci-Tomorri. Sipas vendimit të marrë dy ndeshjet Kukësi-Besa dhe Laci-Tomorri do të zhvillohen ditën e mërkurë, në të njëjtën ditë kur luan edhe përfaqësuesja me Kamerunin në Zvicër.

Pikërisht për këtë arsye ndeshja tjetër mes Skëndërbeut dhe Flamuartarit do të shtyhet për një tjetër datë pasi disa lojtarë të këtyre dy skuadrave janë të grumbulluar me përfaqësuesen.

Data e zhvillimit të kësaj ndeshjeje do të jetë objekt i një tjetër mbledhje të sektorit të garave.

Top Channel