Mustafaj: Statusi, “de facto” i paarritur

11/10/2012 19:45

Pas dy refuzimesh, Shqiperia mori të mërkurën propozimin për statusim e vendit kandidat, me kusht që të plotesojë pjesën e mbetur të prioriteteve kyce.

Për të folur më shumë lidhur me kete ngjarje, në studion e edicionit qëndror të lajmeve në “Top-Channel”, ishte i pranishëm ish-ministri i Jashtëm, zoti Besnik Mustafaj.

Top-Channel
– Zoti Mustafaj, kemi një deklaratë të qartë të Komisionit dhe deklarata gëzimi në Tiranë, të pakten nga rrethet qeveritare që e konsiderojnë këtë një tjetër moment historik. Çfare do të thotë propozimi për status deri në plotësimin e kushteve? A do të thotë kjo se ne e kemi marrë statusin?

Mustafaj
– “Kjo është një formulë që nuk është përdorur kurrë më parë nga Bashkimi Europian dhe në asnjë rrethanë nuk ka vend për eufori. Ky është minimum që duhet të kuptojmë,  bëhet fjalë për një vlerësim për një situatë më të mirë se ajo e tre viteve të fundit. Është një hap i vogël përpara, por nuk është marrë asnjë status deri në dhjetor, kur vendoset përfundimisht se çfarë hapash ka bërë Shqipëria”.

Top-Channel
– Çfarë prisni që të ndodhë nga sot deri në dhjetor? Dhe nga dhjetori deri në zgjedhje, parë nën këndveshtrimin e presionit diplomatik të Brukselit?

Mustafaj
– “Formula që u përdor është një farë presioni, ilustrim i asaj proverbës që në një dorë kërbaçin dhe në tjetrën kulaçin. Deri në dhjetor, Komisioni Europian do të inkurajojë me këtë formulë dialogn e bashkëpunimin mes partive për miratimin e ligjeve të rëndësishme. Brukseli e di që parlamenti nuk funksionon në mënyrë aq demokratike. Duhet të normalizohet situata demokratike. Së dyti, kemi problem thelbësor me drejtësinë dhe për këtë inkurajohet bashkëpunimi që të kryhet ajo reformë me Gjykatën e Lartë, si gjykatë supreme që jep vendime me drejtësi dhe të pakundërshtueshme. Formula e dhënë për statusin inkurajon bashkëpunim opozitë-mazhortancë”.

Top-Channel
– Çfare do të thotë marrje e statusit dhe çfarë do të thote një status pa negociata?

Mustafaj – Status pa negociata nuk ka. Kalimi në vend kandidat shënohet me nisjen e negociatave, të tjerat janë zhurmë. Kjo shënon kalimin në një etapë të re të marrëdhënieve të vendit kandidat me vendet e BE-së. Përsa kohë nuk kanë nisur negocimi i 35 kapitujve, nuk mund të quhet ende i arritur statusi.

Top-Channel – Në Komitetin Ndërministror për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, kryeministri Berisha propozoi ndryshimin e himnit kombëtar, duke përfshirë edhe dy strofat e tjera të tij. A mendoni se duhet të ekzistojë një debat më gjithpërfshirës dhe i gjerë, përpara se të merret një vendim?

Mustafaj
– “Nuk bëhet fjalë për ndryshim të himnit. Rikthimi në tekstin e parë të hequr në vitin 1945 nga autoritetet komuniste nuk më duket se ka vend për t’u shqetësuar. Ato vargje kanë qenë në tekstin e parë të himnit, nga Asdreni dhe institucionet shqiptare.

Top-Channel
– Dhe nje koment i fundit për greven e ish-të përndjekurve politike. Ju keni qenë pjesë e mazhorancës që qeveris, si e shohni grevën dhe sjelljen e qeverisë me grevistët?

Mustafaj
– Unë jam shumë i shqetësuar për grevën. Qeveria po sillet keq, jo me dinjitet dhe demokraci e është duke vepruar kundër vetvetes, pasi minimumi që duhet të bëhej ishte të caktohej një grup negociator për të biseduar me këta njerëz dhe të merrej me vlerësimin e kërkesave të tyre. Kjo është një arrogancë personalisht e Berishës dhe funksionon kundër frymës dhe identitetit të Partisë Demokratike.

Top Channel