“Xhakja”, SHKB verifikim aksionit policor

18/09/2012 00:00

Ndërsa pritet që brenda 30 ditëve prokuroria t’i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë me një kërkesë për heqjen e imunitetit për gjyqtarin Neritan Tabaku, në funksion të hetimeve të çelura për vonesën e zbardhjes së vendimit ndaj Ilir Xhakjes, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka nisur verifikimet për mënyrën si ka ndërhyre policia gjatë aksionit në të cilin mbeti i vrarë kryekomisari Adem Tahiraj.

Nga këto verifikime pritet të hidhet dritë mbi shumë pikëpyetje mes të cilave do të sqarohen rrethanat e ngjarjes se rëndë të 13 shtatorit, përse asnjë nga efektivët e policisë që shoqëronte kryekomisarin nuk reagoi në momentin që u qëllua me armë zjarri.

Po ashtu thanë burimet do të shikohet skema se si kanë ndërhyrë në atë që u deklarua si kontroll rutinë efektivët, a ndiqet e njëjta procedurë apo jo gjatë kontrollit të automjeteve me apo pa targa, si dhe a lejohej që gjatë një kontrolli të tillë rutinë të merrte pjesë edhe një efektiv policie që dyshohet se ishte në konflikt personal me autorin e krimit të rëndë.

Megjithatë, tha një burim nga SHKB përvec lëvizjeve të oficerëve të policisë në këtë zonë për atë ditë pritet të merren edhe dokumenta nëse ka, që vërtetojnë se atë ditë ishte apo jo policia e Shijakut në një operacion.

Sidoqoftë, në këtë ngjarje një person kyç që mund të japë një version të fortë është nipi i Ilir Xhakjas i cili prej ditësh rezulton në kërkim dhe që për policinë di mjaft rrethana të momentit të krimit.

Nga ana tjetër vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë më në fund u argumentua dhe i është dorëzuar inspektorëve të KLD-së për verifikimet e tyre.

Në të gjyqtarët arsyetojnë shkaqet se përse e shpallin të pafajshëm Ilir Xhakjan. Shkaku më i fortë sipas tyre është mungesa e provave pavaëesisht se prokuroria pretendon se një shenjë gishti e implikon 38-vjecarin në vrasjen në bashkëpunim të shtetasit Qerim Maloku.
 

Top Channel