Katër akuza për Ilir Xhakjan

15/09/2012 00:00

Të hënën në orën dhjetë, Ilir Xhakja do të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për të dëgjuar masën e sigurisë për katër akuza, më e rënda prej të cilave është ajo e vrasjes për shkak të cilësive të vecanta të kryekomisarit Adem Tahiraj.

Po ashtu, prokuroria do t’i adresojë 38-vjecarit edhe vrasjen e mbetur në tentativë të një kalimtareje të rastit e po ashtu dëshmitare okulare në ngjarje, 67-vjecares Lena Ndokaj.

Sipas burimeve konfidenciale nga organi i akuzës, ndaj Xhakjas po përpilohen edhe akuzat e kundërshtimit të forcave të policisë dhe të armëmbajtjes pa leje.

Një burim i prokurorisë pohoi për Top Channel se për vrasjen e kryekomisarit është nën hetim vetëm Ilir Xhakja, të dhëna këto që rrëzojnë verisionin e një burimi tjetër nga policia e Durrësit, e cila deklaron në rrugë jozyrtare se 17-vjecari Ledion Krasniqi është shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes.

Ky version në fakt rrëzohet nga burimet e prokurorisë që shprehen se adoleshenti nuk rezulton të ketë qëlluar me armë dhe as nuk rezulton sipas të dhënave të deritanishme të ketë ndihmuar autorin e vrasjes për t’u larguar nga vendangjarja pasi Krasniqi është larguar me automjetin, i vetëm dhe për llogari të tij.

Ndërkohë, burimet thonë se Ilir Xhakja po mbahet në paraburgimin e Durrësit në pritje për t’u transferuar nën masa që deklarohen të forta drejt Tiranës, në një kohë kur forcat speciale dhe policia e qytetit bregdetar vijojnë me postoblloqet në zonë dhe kontrollet për të kapur të riun në kërkim.

Burimet nuk përjashtojnë tentativat disaorëshe të negocimit për ta bindur edhe këtë shtetas që t’u vetëdorëzohet uniformave blu.

Top Channel