PS, kërkesë për transparencë

18/07/2012 00:00

Pas kërkesës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara për transparencë në projektin që po realizohet për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit ,prerjen e pemëve dhe prishjen e murit rrethues të Pallatit të Brigadave, këshilltarët socialistë kanë këmbëngulur për transparencë nga Bashkia e Tiranës.

Kreu i grupit të këshilltarëve socialsitë, Aldrin Dalipi shprehet i shqetësuar për mosmbledhjen e Këshillit Bashkiak prej mëse dy muajsh, kur sipas tij janë rreth 400 banesa sociale të cilat duhet t’u jepen të pastrehëve sa më parë.
 
“Transparenca e Bashkisë së Tiranës vazhdon të jetë zero. Pse zoti Basha vazhdon të mbajë ende të pajetësuara vendime të rëndësishme, si rreth 400 banesat sociale në Tiranë? Përse nuk kaloi për miratim dhënian e truallit për përdorim për parkim nëntokësor në sheshin ‘Italia’? Për cilën arsye nuk paraqitet në interpelancë për një blerje pa interes të hidrocentralit të Lanabregasit nga Ujësjellësi i Tiranës? I kërkojmë publikisht kryetarit të Bashkisë t’i paraqesë Këshillit Bashkiak projektin e ndërhyrjes në Parkun Kombëtar dhe në cilat akte ligjore është mbështetur masakra mjedisore dhe përpjekja për goditjen e monumenteve shumë-vjeçare të kulturës”, deklaroi kreu i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi.

Mbledhja e radhës e Këshilit Bashkiak zhvillohet në orën 19:00, por sipas Dalipit në rendin e ditës janë paraqitur vendime që nuk kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve.

“Rendi i ditës së sotme është një rend dite që deri tani është fare pa asnjë ndikim në jetën e qytetarëve. Janë vendime rutinë, bëhet fjalë për pagesa kuotash që Bashkia e Tiranës u bën organizatave ku merr pjesë. Për këtë ne jemi të interesuar se përse në Këshillin Bashkiak nuk vijnë vendime të rëndësishme? Pse nuk vijnë vendime që janë të gatshme që prej 2-3 vitesh? Ju them që në rastin e 400 banesave sociale, janë shumë kategori të cilat prisnin që të fillonte një projekt  tjetër me këto banesa”, tha zoti Dalipi.
Dalipi kërkon që në mbledhjen e Këshilit Bashkiak, Kryetari Basha të japë sqarime që nga projekti ‘GIS’ , banesat sociale, problemi me romët dhe karrotrecët e shfaqur nëpër rrugët e Tiranës që grumbullojnë makina pa praninë e Policisë Bashkiake apo asaj rrugore.

Top Channel