Përgjimet dhe trafiku i armëve

18/07/2012 00:00

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, që pas skandalit të përgjimeve mohoi për herë të parë kategorikisht që të jetë kryer një gjë e tillë, po në lidhje me këtë temë tha se Shqiperia punon vetëm kundër terrorizmit.

Ai u tregua edhe njëherë tjetër ironik në deklaratën e tij në lidhje me kontrollin mbi përgjimet.

“Duhet një komision me 3-4 njerëz të besuar, që të betohen për sekretin dhe kur të dalin nga komisioni të dalin me një deklaratë të përbashkët. Të mos u tregojnë familjarëve se çfarë u tha. Ne nuk punojmë në këtë drejtim, ne punojmë kundër terrorizmit”, deklaroi Imami.

Ndërsa në fjalën e tij, nënkryetari i komisionit të sigurisë, Ilir Gjoni shprehu rezervat e socialistëve në lidhje me mbikëqyrjen parlamentare që i mohohet opozitës, por sërish ministri i Mbrojtjes këmbëngul në vendimin e marrë prej tij, për të mos lejuar kontroll fizik.

“E rëndësishme është që ne ngritëm zërin dhe imponuam atë kërkesë që komisioni e ka marrë më parë. Tani kryetari i komisionit do të dërgojë një letër kryetares së Parlamentit”, tha Gjoni.

“Parlamenti duhet të ketë të qartë limitet e tij dhe çështja duhet të diskutohet në komision. Duhet të caktohet një program i caktuar, siç e kërkon kontrolli”, tha më tej Imami.

Komisioni i sigurise u përfshi nga debate të ashpra që në fillimin e seancës paraditen e së mërkurës. Deputetë të opozitës kërkuan shpjegime për refuzimin e mbikëqyrjes.

Imami mohoi edhe trafikun e paligjshëm të armëve, duke shpjeguar që për çdo shitje informon presidentin, kryeministrin dhe kryetaren e Parlamentit.

“Nuk mund të ketë trafik. Unë i raportoj kryetares së Parlamentit, kryeministrit dhe presidentit për çështjet tregtare. Kjo është rruga që ndiqet dhe unë zbatoj ligjin”, shtoi Imami.

Në pjesën e mbledhjes që mediat nuk u lejuan deputeti Gjoni konfirmoi se u diskutua në lidhje me disa tema të prekshme edhe nga mediat kohët e fundit, si daljen nga struktura e ushtrisë e repartit të Bisht Pallës, apo edhe të Marinës në Vlorë.

Top Channel