Stefanoviç: Respektojmë qëndrimin e UNMIK

09/04/2012 00:00

Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç ka deklaruar se qeveria e vendit të tij e respekton qëndrimin e UNMIK-ut për të mos mbajtur zgjedhje lokale në Kosovë.

Në një intervistë për të përditshmen “Zëri”, Stefanoviç është shprehur se misioni i OKB-së është i vetmi që mund të interpretojë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

“UNMIK-u është mbikëqyrësi i vetëm politik i Rezolutës 1244. Ky mision nuk është më aq i rëndësishëm, por ata janë të vetmit që e mbikëqyrin atë”, ka deklaruar Stefanoviç.

“Ne i pyetëm ata për zgjedhjet. Ata na thanë se nuk mund të lejojnë zgjedhje lokale në Kosovë dhe ne e respektojmë këtë përgjigje”, ka nënvizuar Stefanoviç.

Beogradi, shkruan e përditshmja kosovare, jozyrtarisht e pranon se nuk ekziston asnjë formulë tjetër që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin lokal në territorin e Kosovës.

Duke cituar një tjetër zyrtar serb, që ka ruajtur anonimatin, “Zëri” shton se qeveria e Serbisë as që po merret më me këtë çështje, pasi është e vetëdijshme se asgjë nuk mund të bëhet në këtë drejtim.

Në fund të marsit, qeveria serbe njoftoi se hiqte dorë nga planet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, me argumentin se, pa mbështetjen e UNMIK-ut, organizimi dhe zhvillimi i tyre do të ishte shumë i vështirë.

Mbajtja e zgjedhjeve ishte kundërshtuar edhe nga autoritetet ndërkombëtare, të cilat vlerësonin se një shtet nuk mund të organizojë zgjedhje në një shtet tjetër.

Top Channel