Berisha: Do të krijojmë “e-qytetarin”

03/04/2012 00:00

Konferenca mbi Arsimin i dha mundësi kryeministrit Sali Berisha të
ndalet në një nga çështjet që ka më për zemër kohët e fundit, Shqipëria
në erën dixhitale. Sipas tij, ky vit i përvjetorit të pavarësisë do të
jetë një vit vendimtar.

“Këtë vit ne do të bëjmë gjithçka që të garantojmë internet me bandë super të gjerë, falas ose me çmimet më të lira që ekzistojnë”, tha Berisha.

Duke e konsideruar një fat numrin e madh të të rinjve, të cilët kalojnë kohë në internet dhe Facebook, kryeministri foli për njeriun elektronik.

“Nga “Shqipëri dixhitale”, ne duhet të kalojmë tek  “E” qytetari  dhe “E” qytetari  pothuajse domosdoshmërisht  do të kalojë nëpër duart tuaja, dyert tuaja, klasat tuaja, bankat tuaja”, tha Berisha.

Në funksion të rrënjosjes së teknologjisë së informacionit te të rinjtë, Kryeministri i kërkoi ministrit të Arsimit që lënda e programimit në shkolla të avancohet në klasën më të hershme që ekziston në vende të tjera. Kurse nxënësit dhe studentët të shpërblehen për programet më të mira informatike të hartuara prej tyre.

Top Channel