“Gjykata Administrative e paplotë”

26/03/2012 00:00

Biznesi thotë se drafti për Gjykatën Administrative, që po diskutohet në
Parlament është i paplotë, duke rrezikuar të mos zgjidhë ngërçin e
konflikteve tregtare. Luan Bregasi, presidenti i “Bussines Albania”,
thotë se projektligji nuk mbyll ciklin e gjykimit.

“Ligji ekzistues nuk parashikon shkallën e tretë të gjykimit që është Gjykata e Lartë dhe kemi kërkuar, që për të realizuar misionin e parë të shpejtësisë së gjykimit, të krijohet një Kolegj, i cili të gjykojë rast pas rasti, (kur ka nevojë sepse mund të mos shkojnë të gjitha në Gjykatën e Lartë), ky Kolegj të funksionojë për çështjet e administrimit legjislativ”, tha Bregasi.

Zoti Bregasi thotë se veç shpejtësisë në gjykimin e çështjeve tregtare ligji duhet të garantojë edhe cilësinë. Dhe kjo sipas tij do të varet nga qeveria.

“Ne do të kërkonim kritere shumë të forta, të qarta e të prera, larg kritereve klienteliste në përzgjedhjen e qytyetarëve. Një ligj e bën funksion njerëzit që do ta zbatojnë”, sqaron Bregasi.

Biznesi thotë se nëse ligji nuk plotësohet, Gjykata Administrative rrezikon të jetë thjesht produkti i një konsensusi formal politik, që nuk ka për t’i ardhur në ndihmë sipërmarrjes.

“Ne shohim predispozitë nga të dy krahët e politikës për ta kaluar shpejt ligjin, por duhet që një nga predispozitat për të kërkuar edhe sa i takon cilësisë së ligjit”, tha kreu i “Bussines Albania”.

Drafti per Gjykaten Administrative, po diskutohet ne Komisionet Parlamentare dhe pritet që shumë shpejt të miratohet edhe në Kuvend.
 

Top Channel