Rinia e tranzicionit si minë me sahat

03/03/2012 00:00

Mentor Kikia – Personalisht i përkas atij brezi, që rininë e përjetoi në dy epoka, atë të fundit të komunizmit dhe fillimit të demokracisë.

Për këtë arsye shumë prej nesh mendojnë se kemi qenë brezi më i pafat, pasi e kaluam këtë periudhë të jetës në agoninë e një sistemi dhe në përpëlitjet e lindjes së një sistemi tjetër. Por duhet të jemi gabuar në këtë konstatim.

Gjatë muajve të fundit, më është dashur të udhëtoj në disa qytete dhe zona rurale, për t’u konsultuar me mësues e prindër, lidhur me disa sugjerime që lëvizja Alternativa Civile po përgatit për projektligjin e ri të arsimit parauniversitar. Jam tërësisht i bindur tashmë se nuk kemi qenë ne brezi më i pafat, por ata që lindën në vitet e fundit të komunizmit dhe vitet e para të tranzicionit. Pra ata që sot janë nga 17-24-vjeçarë.

Shumë prej këtyre të rinjve sot janë analfabetë, ose kanë mbaruar vetëm ciklin 9-vjeçar të shkollës dhe atë sa për procedurë. Ata nuk kanë sot një arsimim të mjaftueshëm për t’u orientuar në jetë. Ata nuk kanë një profesion për të punuar në një fushë të caktuar. Ata janë rritur me prindër që punonin e punojnë në Greqi e Itali e që ktheheshin në shtëpi një herë në vit, për të përmbushur qëllimin e vetëm të jetës, ndërtimin e një shtëpie të re për fëmijët e tyre. Por ata jetojnë në një epokë “moderne”, e cila i ka bërë ta përbuzin punën e rëndomtë, më të cilën përballeshin bashkëmoshatarët e tyre në kohën e komunizmit. Ata jetojnë në epokën kur u duhet t’u përshtaten të tjera rregullave jetese. Të kenë një telefon celular, të futen në internet kafe, të frekuentojnë kafenetë, të tymosin duhan e shpesh edhe cannabis…. Ata jetojnë në një kohë kur është “fyese” të punosh në arë krah prindërve, është “fyese” të shesësh në treg vetëm ose krah prindërve, është “fyese” të punosh në ndërtim apo në ndërmarrjen e shërbimeve të qytetit. Ata janë pa arsimin dhe pa formim profesional dhe nuk kanë asnjë shans për t’u përthithur nga tregu kapitalist i punës. Po ku do t’i gjejnë paratë ata për të bërë jetën “moderne” të kohës? Ku do t’i gjejnë telefonat e rinj, cigaret, drogën, dhuratat për vajzat, të paktën në 14 shkurt? A do të ndihmohen ata pafundësisht nga prindërit e tyre?

Këtu e merr shpjegimin një dukuri tronditëse e viteve të fundit. Pjesa dërrmuese e vjedhjeve që shënohen sot në qytete dhe zona rurale kanë për autorë djem të moshës nga 17 deri në 23 vjeç. Ata vjedhin çdo gjë, rroba të ndera në tel e nëse nuk ka rroba edhe vetëm telin, biçikleta, çanta, kuleta, kabllo elektrikë, hekurishte, sinjalistikën nëpër rrugë e autostrada, bullonat e shinave dhe traversave të hekurudhës, telat e tendës së hardhive nëpër pjergulla, bagëti nëpër stane dhe pula nëpër kotece. Ata vjedhin dhe dërgojnë në treg për vetëm 2 mijë lekë të vjetra çdo gjë që mund t’u zërë syri dhe mund të shitet. Dhe, pasi u kanë mbaruar ato të të tjerëve, vjedhin edhe elektropompën me të cilën babai i tyre vadit të mbjellat e tokës së tij e pse jo edhe veglat e tij të punës për t’i shitur për skrap. Dhe, nëse edhe këto nuk ecin siç duhet, ata mund të shtinë edhe me armë ndaj prindërve.

Shumë prej këtyre ngjarjeve, policia nuk i regjistron më. Por në realitet kjo është një epidemi.

Pak ditë më parë, një adoleshent vdiq e një tjetër u plagos rëndë, pasi po sharronin një tub të gazjesllësit për ta shitur për skrap. Tërë këtë veprimtari kriminale, nuk mund ta motivojmë e justifikojmë me varfërinë. Jo jo, ky është mjerimi në rritje i një brezi, i një brezi që nuk di asgjë, as të shkruajë, as të mendojë, as të punojë, por vetëm di që duhet të ketë para në dorë dhe për këtë zgjedh rrugën më të shkurtër, atë të vjedhjes dhe të krimit. Ky është brezi i tranzicionit, që lindi, u edukua dhe u shkollua në tranzicion.

Kjo krizë do të vazhdojë të thellohet. Ata do të vazhdojnë të rriten dhe kërkesat e tyre po ashtu. Atëherë, nga vjedhja e kabllove elektrikë dhe e bullonave të hekurudhës, ata do të kalojnë në vjedhje më të mëdha.

Të tërë këtë realitet ne po e injorojmë, po lëmë mënjanë dhe po mendojmë për halle edhe më të mëdha. Sot shkollave të mesme u janë dhënë udhëzime që të rinjtë të mos i përjashtojnë, pavarësisht rezultateve në mësime, pavarësisht sjelljes shpesh edhe të dhunshme. Të rinjtë duhet të qëndrojnë në klasa, me arsyetimin, “më mirë aty se në rrugë”. Shkollat, më shumë se vende mësimi po shërbejnë si streha “magazinimi” të adoleshentëve. Dhe kjo është tërësisht e vërtetë. E keqja jonë është se i referohemi vetëm Tiranës dhe harrojmë se Shqipëria është pak më e madhe se kaq. Por, e keqja më e madhe është se ne mendojmë se e keqja më e madhe në këtë vend është reforma zgjedhore dhe politika e media tërë kohën çirret vetëm për këtë, duke lënë në harresë tumore të tilla sociale. Neve nuk na shqetëson se në lajme ka çdo natë njoftime për grupe adoleshentësh që arrestohen duke vjedhur, por se çfarë kanë thënë komisionerët në Bruksel për këtë palo politikën tonë në menopauzë.

Dhe ky nuk është një problem i një qeverie, as i një Kryeministri dhe nuk zgjidhet as me largimin e një qeverie apo të një Kryeministri. Ky është një problem i madh social dhe një minë me sahat, të cilën shoqëria e ka mu para syve duke i dëgjuar tik-takun, por që nuk do ta shikojë. Por të jemi të sigurt, kjo bombë ka nisur të shpërthejë edhe pse efektin e plotë do ta japë pak më vonë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel