Autokratizimi që na mban larg nga Europa

01/03/2012 00:00

Andrea Stefani – Ndërsa Serbia pritet të fitojë statusin e vendit kandidat për në BE,
është tashmë e sigurt se Shqipëria do ta humbë përsëri shansin.

Përse ndodh që Serbia, e cila hyri në rrugën e tranzicionit thuajse një dekadë më vonë se Shqipëria, është sot përpara saj pra, më afër Europës? Mos vallë në Serbi nuk ka probleme? Jo, por përgjigjja është e thjeshtë: Në Beograd nuk ka autokratizëm si në Tiranë. Dhe Europa nuk mund t’i urojë kurrë mirëseardhjen në gjirin e saj një vendi ku pushteti është duke u bërë gjithnjë e më autokratik derisa arriti të vrasë edhe demonstrues të pafajshëm. Përfaqësuesit e Europës në Tiranë heshtin diplomatikisht për këtë të vërtetë. Por, ndërkaq, kërkesat e rekomandimet e tyre për zgjedhje të lira e të ndershme apo për gjykata të pavarura që po refuzohen me alibira banale nga një Kryeministër si Sali Berisha me prirje për të komanduar gjithçka, janë dëshmia më e fundit e bllokimit që autokratizmi po i bën integrimit.

* * *

Sapo nga Brukseli mbërritën të tjera mesazhe për një refuzim të statusit të kandidatit për Shqipërinë, Kryeministri Berisha nxitoi të dalë në një konferencë shtypi për të fajësuar liderin e opozitës për këtë dështim të radhës së “qeverisë së integrimit”. Faji është i Edi Ramës që nuk jep konsensusin për ligjet me 3/5-ta, deklaroi Berisha. Një qëndrim, me thelb bolshevik, që për çdo të keqe akuzon opozitën politike. Por e vërteta është krejt ndryshe. Nuk është lideri i opozitës që pengon integrimin, por vetë Berisha. Edhe ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave në Kuvend nuk miratohen, sepse hartohen me kurthe juridike, që në vend se të shërbejnë për baraspeshimin e pushtetit të qeverisë me pushtete të tjera, tentojnë të bëjnë të kundërtën, të fuqizojnë dominimin e qeverisë dhe posaçërisht të vullnetit të Kryeministrit në shtet. Pse është bllokuar reforma parlamentare? Sepse autokrati Kryeministër kërkon ta shndërrojë edhe sallën e Kuvendit në një arenë të pakufizuar për të, të debateve vulgare që shpesh zhvillon kohë pas kohe duke ushtruar dhunë verbale mbi pakicën. Përse prishet konsensusi për Kodin Penal? Sepse Kryeministri, që deformon statistikat e ekonomisë si t’ia dojë qejfi për të maskuar dështimet e qeverisë, refuzon që falsifikimi i statistikave të ndëshkohet penalisht. Përse nuk arrihet konsensusi për reformën zgjedhore? Sepse, ndër të tjera, Kryeministri, që është ende në pushtet me vota të vjedhura, refuzon që në Kodin Zgjedhor të fiksohet një ndëshkim i ashpër ligjor për të gjithë ata që do të guxojnë të vjedhin votat. Në të gjitha deklarimet, kundërshtimet që Berisha i bën opozitës do të shohësh faktet e një autokratizmi që këmbëngul të konservojë avantazhe të padrejta që ia jetëgjatësojnë pushtetin dhe forcojnë dominimin e tij në shtet. Ky gjakim autokratik për pushtet pafund e pakufi, është pengesa kryesore që çon në bllokimin e reformave dhe bashkë me to edhe të integrimit të Shqipërisë në Europë.

* * *

Autokratizmi, sundimi absolut në shtet duke shkatërruar mekanizmin kushtetues të ndarjes së pushteteve që bën të mundur lirinë, shfaqet së fundi edhe në qëndrimin e Berishës në çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Edhe pse ndërkombëtarët kanë sugjeruar që të zgjidhet një President konsensual i pranuar nga të gjitha palët dhe që të qëndrojë mbi të gjitha palët, Kryeministri nuk e ka fshehur dot epshin për të zgjedhur në atë post një nga kukullat e oborrit të tij politik. Edhe deklarimet se gjoja është i hapur të diskutojë për kandidaturat apo se është i vendosur t’i japë vendit një President në përputhje me Kushtetutën, janë maska të gjakimit për të pasur një President të shumicës. Në fakt janë gënjeshtra. Sepse është e qartë se nëse ndodh që Presidenti i Republikës të bëhet një nga yes-menët e Berishës, ndarja e pushteteve do të merrte fund në Shqipëri. Kryeministri autokrat do të ishte de facto jo vetëm kryetar i shumicës parlamentare (sikundër është tani), por edhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Shtresave për një gjyqësor të pavarur në Shqipëri do t’i vinte fundi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sa i përket Prokurorit të Përgjithshëm e bashkë me të edhe për krejt institucionin e prokurorisë. Me një Presidenti kukull në shërbim të tij, Berisha do emëronte një kryeprokuror që do ta vinte institucionin e hetimit në shërbim të synimeve të tij, që janë: pushimi i hetimeve për skandalet korruptive dhe kriminale të qeverisë së tij dhe hapja e hetimeve selektive dhe tendencioze “antikorrupsion” për ndëshkimin e kundërshtarëve politikë dhe mediatikë. Nuk duhet të ketë iluzion se një gjë e tillë mund të mos ndodhë. Nëse e vuri prokurorinë në funksion të goditjes së opozitës 20 vjet më parë, në nisje të tranzicionit, duke burgosur gazetarë e deri edhe liderin e opozitës së asaj kohe, Berisha i ka më të shtuara interesat, ankthet, nevojat që ta ndërmarrë edhe më me urgjencë një aksion të tillë. Dhe kjo do të thotë që Shqipëria të zhyhet edhe më thellë në gjolin e një regjimi autokratik, duke humbur ndoshta përgjithmonë shansin e integrimit me Europën. Një aspiratë të shqiptarëve që Berisha e përdori për të ardhur në pushtet, por që tashmë e urren, sepse tek europianizimi i Shqipërisë shikon fundin e sundimit të tij. Ndaj dhe e bllokon duke akuzuar opozitën si bllokuese.

Gazeta “Shqip”

Top Channel