Oketa, Marku, Xhepa … dhe oponenca e ndrojtur brenda PD-së

28/02/2012 00:00

Mustafa Nano – “Mua partia nuk më do veç për votën; më do dhe për idetë e mia”, shprehej dje në një intervistë për të përditshmen “Panorama” deputeti i PD-së, Selami Xhepa.

Dhe këtë e thosh, jo se e besonte, por se donte të përligjte të drejtën për të pasur një qëndrim të ndryshëm, në përputhje me bindjet e kredot e veta, lidhur me çështjen presidenciale, që sapo e kish ushtruar (të drejtën). Është një argument, rreth të cilit Berisha e ka thënë të vetën. E jo vetëm një herë, por disa herë. “Presidenti do të zgjidhet prej PD-së; në atë post do të zgjidhet një eksponent i rëndësishëm i mazhorancës”, ka thënë ai.

Askush deri më sot nuk kish guxuar t’i kundërvihej kësaj ideje të Berishës. Selami Xhepa është i pari që e bën këtë. Dhe ç’është e vërteta, e bën pa iu kundërvënë Berishës vetë, pasi në të njëjtën intervistë ai lëshon komplimente në adresë të Kryeministrit. Por opinionin e vet e ka shprehur qartë. “Na duhet një president konsensual; nuk mund t’i marrim dot të gjitha, pasi do zhbalanconim ngrehinën institucionale e do tradhtonim parimin e madh të organizimit shtetëror e politik të një vendi demokratik, d.m.th parimin check & balance”.

Një ditë përpara tij ishte Mark Marku që bëri maverick-un. “Mbledhjet e grupit parlamentar janë pak a shumë si ato të byrosë politike”, rikonfirmoi ai në mënyrën e vet një përfundim të Gazmend Oketës, i cili e la PD-në për partinë e re që do krijohet së shpejti. Shtypi kish veçuar pikërisht këtë frazë nga intervista e Oketës në “Tonight Ilva Tare”, por në të vërtetë momenti më gjenuin e më dramatik i bisedës në studion e “Ora News” ishte ai kur Oketa iu kthye me zor e turp një gjesti të tij, për shkak të të cilit ai kish mbetur prore në një gjendje të sikletosur. Një ditë prej ditësh, vite më parë, kur president ka qenë Alfred Mosiu, Oketës i kishin dhënë një tekst në dorë dhe i kishin thënë të dilte përpara gazetarëve për ta recituar. Dhe Oketa kish dalë për të lexuar që “Mosiu është i tillë e i këtillë”. Duhet të ketë qenë ndonjë tekst i tmerrshëm, që e ka bërë Oketën ta vuajë për vite të tëra atë rol. Sigurisht, edhe thjesht ideja që ka lexuar një gjë jo të tijën e ka bërë të ndihet ligsht, por kësaj i janë shtuar me siguri dhe frazat e forta të Berishës në adresë të Moisut. Nuk i dimë këto fraza, por i marrim me mend, ashtu siç marrim me mend që në gojë të Oketës nuk kanë si shkojnë.

Oketa nuk e ka bërë një herë të dytë atë budallallëk. Me siguri, ka thënë “jo” kur ia kanë rikërkuar. Ka të tjerë që mund t’i kenë thënë “jo” Berishës në rrethana të tilla? Nuk e dimë. Mark Marku e Selami Xhepa nuk janë parë të lexojnë letra të tilla të shkruara nga Berisha. Mund të jenë këta që i kanë thënë “jo” Berishës, por mund të ketë qenë dhe ky i fundit që këtë gjë nuk ua ka kërkuar, e në të dyja rastet ata dalin më të “nerum” se gjithë të tjerët, që ose recitojnë në konferenca për shtypin diatribat e flligështa Berishës, ose mbrojnë nëpër studio bëmat e ndyra të tij (këtë e ka bërë dhe Marku e Xhepa, në fakt).

Kjo praktika e përdorimit të njerëzve nga ana e liderit vihet re dhe në krahun tjetër dhe këtë nuk po e them për t’u bërë neutral simpatik, por e them sepse është bash kështu. Kohët e fundit nuk janë parë më në foltoret e konferencave më gazetarët gratë zëdhënëse të Partisë Socialiste që bëheshin interprete të hartimeve që Edi Rama i bënte në zyrë. Ajo situatë ishte fyerje për ato zonja, ashtu siç është fyerje dhe për zonjat e PD-së që vijojnë të dalin edhe sot e kësaj dite për të interpretuar muzën e doktorit.

Nuk dihet nëse në PS ka njerëz që e vuajnë këtë lloj keqpërdorimi që u bën udhëheqësi, por ky fakt nuk e bën situatën në PS më dramatike se sa atë në PD. Janë situatat ekstreme që sjellin më shpesh rebelime, brerje ndërgjegjeje, vuajtje morale, e në PS situatat ekstreme ose mungojnë, ose janë më të rralla. Me këtë shpjegohet fakti që në PS ka njerëz që nuk pranojnë të përdoren. Janë me dhjetëra ata, të cilëve Rama nuk mund t’u japë një letër në dorë e t’u thotë “shkoni e lexojeni përpara gazetarëve”. Por, përsëris, dukuria e përdorimit të njerëzve prej kryetarit mbetet edhe në PS që ç’ke me të. Bëhen dhe në PS “mbledhje të byrosë politike”. E në këtë kuptim, Marku apo dikush tjetër si Marku kanë të drejtë teksa nënvizojnë natyrën endemike e transversale të kësaj sëmundjeje. Çfarë s’shkon tek ky nënvizim është fakti që Marku e thotë si një alibi për konformizmin e solidaritetin e vet me të keqen, e jo për të denoncuar dukurinë.

Dua të përsëris se qëndrimet e Oketës, Markut e Xhepës (apo Stringës në vijimësi), nuk është se më entuziazmojnë, pasi duket qartë se bëhet fjalë për një oponencë të ndrojtur, sporadike dhe tepër të kalkuluar; është një oponencë “e shtegut të hapur për t’u kthyer sërish në llogore” (për më tepër, Marku, Xhepa e të tjerë si këta në PD do ta kenë gjithë kohën të zorshme, fjala vjen, të përligjin mbrojtjen që i kanë bërë e i bëjnë krimit të kryer më 21 janar të vitit 2011). Por zëri i tyre këto ditë ka magjinë e oponencës, amá. Dhe të vjen keq të mendosh që në PD e në PS mund t’mos ketë njerëz që të mendojnë se nëse ka një gjë që e bën një parti atraktive, ajo është e drejta për të ngritur zërin ndryshe brenda saj. Oponenca brenda vetes e mban gjallë e të këndellur një parti.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel