Opozita akuzon se formula e paprecedentë me të cilën qeveria po shet kompaninë Albpetrol është një aferë gjigande korrupsioni më deme kolosale për qytetarët.

“Duhet ta kuptojë cdo shqiptar që ato që po shiten tani janë të drejtat për shfrytëzimin e naftës dhe gazit. Po shiten përfundimisht. Nuk do ketë më kush të drejtë që të shfrytëzojë puset nafte në Shqipëri, përvec këtyre privatëve me bekimin e Sali Berishës”, thotë deputeti socialist, Erjon Braçe.

Qeveria thotë se shitja e të drejtave mbi naftën nuk i dëmton interesat kombëtare, pasi shteti do të marrë rentën minerare dhe taksat nga kompania private që do blejë Albpetrolin

“Rentë minerare nga Albpetrol shteti merr edhe sot, tatim-fitimi merr edhe sot. Por elementi që ikën nga pasuria publike është dividenti. Albpetrol deri më sot merrte dividentë.Nesër këtë divident do ta marrë privati”, u shpreh Braçe.

Privatit që do të blejë Albpetrolin qeveria do i japë të drejtën e ofertës së parë edhe për të gjitha koncesionet e tjera të naftës, qoftë kur investitorët aktualë tërhiqen apo edhe në përfundim të afatit të tyre pas 25 vitesh

“Imagjinoni një fëmijë që lind sot, fati i të cilit është përcaktuar për 25 vitet e ardhshme dhe në fund të këtyre viteve ai fëmijë do të jetë punëtor krahu në vendin e tij, asgjë më tepër, sepse pasuritë kombëtare të atdheut të tij, tashmë para se ai të lindë, Sali Berisha i ka privatizuar. Privatizimi i atdheut merr fund me privatizimin e Albpetrolit”, deklaroi Braçe.  

Shqipëria është vendi i vetëm i pasur me naftë në rajon dhe fusha e Patos-Marinzës konsiderohet si vendburimi më i madh i Europës Kontinetale.

“Ajo që është e tmerrshme në gjithë këtë histori është që ne eksportojmë naftë me cmime të lira dhe vit për vit shqiptarët, qytetarët shqiptarë, që janë zotër të kësaj toke, blejnë naftën e importit vit për vit e më shtrenjtë”, përfundoi deputeti socialist.

Shitja e Albpetrol de facto i jep fund privatizimeve në sektorin e naftës, ku shteti përvec transferimit të vendburimeve tek privati po heq dorë edhe nga të drejtat e posaçme mbi këto pasuri.

Top Channel