Si ta nxësh…….Charles Dickens

11/02/2012 00:00

Monika Shoshori Stafa – Javën e fundme, me nismën e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Tirana,
kryeqyteti i Shqipërisë, iu bashkua festimeve botërore për 200-vjetorin
e lindjes së shkrimtarit më të shquar britanik të periudhës viktoriane,
Charles Dickens.

Në këtë 200-vjetor, veprave të përkthyera e të botuara herët në gjuhën shqipe (“David Koperfild”, “Aventurat e Oliver Tuistit”, “Dombi e biri”, “Letrat e sprasme të klubit Pickuik”), nuk iu shtua ndonjë e re, megjithëse trashëgimia e tij është shumë më e gjerë. Ka shumë të ngjarë që për këtë të ketë ndikuar inatosja me realizmin socialist, pastaj dhe me realizmin social, dhe së fundmi edhe me realizmin kritik dhe me realizmin në përgjithësi. Kjo i dha një kuptim më të përligjur zgjedhjes së përfaqësisë së Britanisë së Madhe në Tiranë, për ta përkujtuar këtë ngjarje me gjuhën e filmit, përmes një jave të kinemasë së sunduar prej ekranizimeve të veprave të Dickens-it, duke filluar me “Jeta dhe aventurat e Nikolla Niklebi-t (“The Life and Adventures of Nicholas Nickleby”) e duke vijuar, me filma të tjerë më të njohur.

Dickens-i mund të thuhet se është shkrimtari i dytë anglez më i njohur në Shqipëri, duke u renditur menjëherë pas Shekspirit. Në dy dekadat e fundme erdhën në shqip dhe shkrimtarë të tjerë britanikë, ose më saktë anglishtshkrues, që nuk ishin përkthyer më parë, për arsye ideologjike, si “Ulisi” i J. Joyse-it, “Ferma e kafshëve” e G. Orwell-it, poezitë e Rudiard Kippling-ut etj. Por vendi i tij mund të thuhet se mbeti i pakontestuar.

Charles Dickens i dha letërsisë botërore jo thjesht kryevepra, por dhe një gjedhe të shkruari, që mund të përkufizohet ndërmjet dy termave: realizmit dhe “happy end”-it. Të dy terma të mirënjohur, që e kanë sunduar botën për dy shekuj me radhë, por njëherësh të dy terma që të bëjnë të kesh nderim për njeriun që i bashkoi i pari, që zakonisht harrohet.

Nëse do të anketohej mendimi i brezit të sotëm të shkollarëve, të cilët vazhdojnë ta lexojnë Dickens-in, për pyetjen se cila është lidhja e tij me “happy end”-in, ndoshta do të merrnim si përgjigje se në vitet 1970 në Japoni ekzistonte një bandë muzikore rock-u me këtë emër; se Brecht-i dhe miqtë e tij patën krijuar libretin e një musical-i pikërisht të titulluar “Happy end”, se kineastët polakë të periudhës totalitare gjithashtu e provuan “fundin e lumtur” si një alternativë më të butë ndaj optimizmit revolucionar; apo dhe se në kaq e aq qytete të Europës ka restorante të famshme joshëse me këtë emër. Por me Dickens-in vetë zor se do të bënin ndonjë lidhje.

Në të vërtetë, shkolla krijuese e Dickens-it paracaktoi e kushtëzoi shumë prej zhvillimeve që ndodhën në letërsi, në kinema, në teatër, jo vetëm në vendin e tij të lindjes, por në shkallë botërore. Të paktën dy prej këtyre termave janë të mirënjohur: realizmi fshikullues dhe fundi i lumtur. Për të qenë më të saktë: realizmi kritik dhe zgjidhja optimiste. Kjo ishte një përvojë krejt e re në historinë e letërsisë botërore: të bashkoje kriticizmin e rreptë të letërsisë sociale me optimizmin futurist të romantizmit ishte gati-gati e papërfytyrueshme. Por pikërisht këtë synoi dhe këtë arriti të bëjë shkrimtari britanik Charles Dickens.

“Happy end”-i është një term po aq i ngulitur në studimet letrare sa dhe “deus ex machina” apo “ars pro artis”. Në këtë kuptim, letërsia e Charles Dickens-it njëherësh është dhe një kontribuuese në fjalorin terminologjik të estetikës së letërsisë.

Se sa ka ndikuar “happy end”-i në historinë e letërsisë botërore të dy shekujve të fundmë; përkundër “tragic end”-it që kishte sunduar për një kohë të gjatë qysh prej tragjedive të Shekspirit, do të mjaftonin dy dukuri për ta shpërfaqur. Janë dy dukuri që duken shumë të largëta për njëra-tjetrën, por në të vërtetë pikërisht në këtë pikë bashkohen, edhe pse të zhvilluara në dy botë gjithashtu të papajtueshme mes tyre: njëra në Lindjen totalitare me shoqëri të kontrolluar dhe tjetra në Perëndimin e lirë me mitin e epërsisë së vetvetes.

“Happy end”-i ishte një prej kanoneve të pashpallura të letërsisë së realizmit socialist. Në studimet teorike për këtë dukuri letrare gati-gati ishte shpallur si përfundim teorik se në realitetin socialist nuk mund të ketë tragjedi, për rrjedhim nuk mund të ketë as “tragic end”. Madje dhe drama hyri në krizën e vet më të madhe pikërisht se duhej të përfundonte me triumf, me optimizëm, me probleme të zgjidhura, me fitoren e heroit pozitiv. Në fakt, kjo e largonte shumë dramën prej funksioneve të saj themelore, prej atyre funksioneve me të cilat kishte lindur në Greqinë e vjetër: kënaqu duke u tmerruar prej së keqes, katarsis-it.

“Happy end”-i i realizmit socialist e deformoi vetë letërsinë, duke mos e pasur më atë funksion estetik që kishte në letërsinë e Charles Dickens-it. Edhe një roman si “Lumi i vdekur”, që e kishte zymtësinë dhe kriticizmin të përligjur prej kornizës historike dhe qëndrimit politik ndaj saj, duhej të mbyllej me fjalën e urtë “Ditë e re, shpresë e re”. Ndërsa triumfalizmi dhe lumturia e pritshme duhej të ishin të deklaruara mundësisht qysh në titull: “Të pamposhturit”, “Pranverë e përjetshme”, “Te ne s’ka vjeshtë”. Nëse në letërsi shfaqej diku shiu, zymtësia, mjegulla, dimri, të ftohtit, kjo do të kthehej menjëherë në shqetësim ideologjik. Në një prej romanëve më të njohur humoristikë të letërsisë shqipe të realizmit socialist, komisioni bën vërejtje për dramën që po vihet në skenë: “Shumë gabim, heroi pozitiv duhet të qëndrojë lart dhe ai negativ poshtë! Kjo është lajthitje liberale dhe dekadente!”. Nëse do të shfaqeshin në vepra vizione vitesh të mbrapshtë, menjëherë dilte pyetja: mirë që rrethanat historike nuk i dhanë mundësi autorit të shohë diell përtej errësirës – po të paktën një yll në fund të horizontit nuk mund ta shihte?

“Happy end”-i nuk qe një dukuri vetëm shqiptare – ajo sundoi gjithë letërsinë e Lindjes. Punëtori i aksidentuar duhej të gjente fuqi brenda vetes dhe të ndërtonte këmbë të drunjta për t’u ringritur më këmbë e për të filluar punën. Karakteret negative duhej t’i kuptonin gabimet dhe të ndreqeshin para se të ishte vonë dhe të ktheheshin në armiq. Mbi të gjitha, perspektiva duhej të ishte e ndritur: ajo duhej të shprehej në skenografi, në veshje, në retorikë. Dielli duhej të ndriste horizontin e hapur. Në disa vende të Lindjes ish-komuniste “happy end”-i çoi në krijimin e një letërsie brohoritëse, që ishte e vështirë ta merrje seriozisht.

Por nuk është vetëm letërsia e realizmit socialist ajo që u determinua prej “happy end”-it të njohur dickens-ian. Ndonëse e përkundërt me këtë të fundit, kinemaja e Hollivudit amerikan bëri të njëjtën gjë. “Letërsia e heronjve” triumfues në Lindje dhe kinemaja e superman-it hollivudian, nëse kanë një pikë përafrimi, është pikërisht slogani: “E shihni diellin? Kjo është fitorja!”. Të dyja këto dukuri bashkëkohore të artit dhe letërsisë prodhuan mite me shumicë: njëra mitin e njeriut të ri dhe tjetra mitin e Chuck Norris-it dhe të Rocky-t; njëra mitin e heroit luftëtar që nuk dorëzohet deri në fitore në emër të idealit dhe tjetra mitin e homo americanus, i lindur për të fituar në shkretëtirë, në oqean, në akullnajë, në galaksi, kudo që të gjendet përballë kundërshtarëve.

Në fakt, në letërsinë e Charles Dickens-it “happy end”-i nuk është një propozim estetik për të prodhuar heronj. Në këtë letërsi “happy end”-i është një dritë shprese për heronjtë e dobësisë, njerëzit e pafuqishëm përballë fatit dhe realitetit. Pikërisht këtu qëndron shpërdorimi i zgjidhjes estetike të Dickens-it prej këtyre dy dukurive letrare dhe kinematografike të shekullit të 20. “Happy end”-i duhej të ishte doemos zgjidhja e veprës, edhe nëse njerëzit do ta merrnin me të qeshur. “Happy end”-i prodhoi prej kinemasë hollivudiane motërzimin modern të Hirushes fatlume me filmin “Pretty Woman” – “Gruaja e bukur”, ku një “grua publike”, siç quhej shërbimi i Julia Roberts në filmin e përmendur, gjen kalorësin e vet të kaltër dhe fiton zemrën e tij.

Për hir të së vërtetës, edhe surrealistët nuk kanë qenë fort larg “happy end”-it, ndërsa futuristët, megjithëse me sy nga e ardhmja, nuk e shihnin “happy end”-in si çështje lumturie, si dukuri të shpirtit njerëzor, se sa si progres teknologjik.

Pikërisht këto mendime më zgjoi prania, në ditën e parë të hapjes së javës së filmit në kushtim të 200-vjetorit të Dickens-it. Ai i dhuroi letërsisë botërore shpresën, pasi e kishte ndëshkuar pa mëshirë realitetin. Ai ndezi një qiri besimi për konfliktet e botës me të njëjtën mendje iluministe si shumë mendimtarë e krijues të tjerë. Ai zbuti njeriun me premtimin e “happy end”-it, të cilin, të tjerë që erdhën më pas, e përdorën si zgjidhje për të lartësuar heroin e programuar dhe kanonet e ardhura nga jashtë letërsisë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel