Diplomacia e kushërinjve dhe e militantëve

08/02/2012 00:00

Mustafa Nano – Para dy ditësh, në komisionin parlamentar për politikën e jashtme, ish-thirrur ministri ynë i Jashtëm, i cili foli për një reformë në
diplomaci.

Por u gjend nën kritikat e forta të deputetëve të opozitës, një prej të cilave ka të bëjë me nepotizmin në diplomaci. Ministri tentoi t’i bënte bisht vëzhgimit të kolegëve në parlament, duke thënë se “është mirë të fokusohemi tek konceptet e jo tek emrat e përveçëm”, por do bënte mirë të përballej me këtë fenomen që, për hir të së vërtetës, nuk duket se ka të bëjë me të personalisht. Nuk ka të bëjë me të, në kuptimin që nuk është ai që denoncohet për emërimin e njerëzve të vet; por nuk ka diskutim që ai nuk është dorëjashtë në këtë mes. Edmond Haxhinasto është ministër i Jashtëm, dhe është përgjegjës për atë që ndodh në ministrinë e tij. Nëse ka gjëra që kanë ndodhur përpara se ai vetë të emërohej në atë post, ministri ka për detyrë të na thotë nëse emërimet e natyrës nepotike (emrat janë publikuar më se njëherë e në më shumë se një gazetë) janë bërë në përputhje me rregullat e ligjet, apo jo. Nuk ka pse ai të mbajë përgjegjësi për zullumet e të tjerëve. Fjala vjen, ai nuk ka pse t’mos na thotë se mbi ç’bazë ligjore e mbi ç’kritere është emëruar dhëndri i vjehrrës Jozefinë në ambasadën tonë në Paris. Një mijë herë është denoncuar ky fakt, dhe askush nga Ministria e Jashtme s’ka marrë mundimin (apo guximin?) të na tregojë praktikën e emërimit të këtij dhëndurri në atë ambasadë. Vetë ministri kish rast pardje ta bënte një sqarim ‘nën presion’, gjë që do ta justifikonte përballë kryetares së parlamentit, por ai nuk e bëri. Në vend të sqarimit, ai na tha “të mos merremi me emra të përveçëm!!!”

Një ministër nuk mund të përgjigjet kështu në një komision parlamentar. Ministri mbrohet me bazueshmërinë ligjore të të gjithë aktivitetit të vet, e në këtë kuptim, ai pritej t’u thosh në atë rrethanë deputetëve të opozitës, rrjedhimisht dhe publikut, se çfarë thotë ligji mbi emërimin e ambasadorëve, mbi emërimin e diplomatëve, dhe si është praktika e ndjekur për emërimet në diplomaci.

Ministri jo vetëm s’bëri këtë, por ra në nivelin e arsyetimeve të deputetes Bulku, e cila s’e kish për gjë të thosh në mbrojtje të këtyre abuzimeve të natyrës nepotike, se – po e perifrazoj, pasi në versionin origjinal të marrë nga shqiptarja.com frazat ishin të shthurura – “fëmijët tanë janë me CV të mirë, dhe prandaj ata s’kanë pse të mos punojnë në diplomaci. Mos na flisni për konflikt interesi, por shikoni dinjitetin e tyre, dhe pas kësaj do duhet të thoni faleminderit që i kemi punësuar, pasi janë shumë të zotë”.

Ka diçka esenciale që nuk shkon në këtë bilbilosje të kësaj deputeteje (është po e njëjta gjë që s’shkon as në përgjigjen e ministrit: të mos merremi me emra të përveçëm, por me koncepte). Deputetja në fjalë nuk e kupton se në gjithë këtë debat nuk hidhet dyshim mbi njerëzit e emëruar, pasi askush nuk i njeh, e për pasojë, askush nuk ka të drejtë të flasë pa i njohur; në këtë mes hidhet dyshim mbi praktikat joligjore të emërimit të tyre. Nga ana tjetër, askush (përveç Ballës; dhe në këtë pikë duket se është gabim), nuk është duke thënë se fëmijët e Bulkut, Topallit, Berishës, Haxhinastos, Ramës, Metës, Ruçit, Bushatit etj., etj. nuk duhet të punojnë në diplomaci, apo diku tjetër në administratën publike. Jo, nuk po shtrohet problemi që ata të penalizohen si fëmijë të prindërve me pushtet; po shtrohet problemi që ata të mos favorizohen si fëmijë të këtyre prindërve. Dhe që të mos ndodhë kjo gjë, nuk na mjafton vetëm opinioni që Bulku ka mbi “fëmijët e vet të zotë”; na duhet që këta “fëmijë të zotë” të matin forcat, vlerat, aftësitë, CV-të edhe me fëmijë të tjerë, të cilët gjithashtu mendojnë se janë të zotë. Meritat njihen kur ato ballafaqohen me merita të të tjerëve, e jo kur ato t’i njeh mamaja apo babi. Ai dhëndri i Jozefinës ka marrë një çmim në një konkurs të këngës, por këtë çmim nuk ia dhanë, ngaqë prindërit apo vjehrra e tij kanë pasur mendim të mirë për të si këngëtar. Jo, këtë çmim e mori pas një konkursi, në të cilin ky demonstroi se vlente më shumë se të tjerët. E njëjta logjikë do duhet të ndiqet edhe në emërimet që bëhen në diplomaci. Mbi këtë logjikë kaq elementare ngrihet i gjithë sistemi i meritokracisë. Duket si një gjë krejt e pavend, madje budallaqe, të thuash gjëra kaq të thjeshta e të ditura për çdokënd, mirëpo s’ke ç’bën, pasi disa deputetëve tanë u duhen futur konceptet llokum në gojë.

* * *

Pati dhe një denoncim tjetër të opozitës në debatin që u zhvillua në komisionin parlamentar për punë të jashtme. Sipas meje, bëhet fjalë për një gjë edhe më të rëndë se sa nepotizmi. Është fjala për një qarkore që, bazuar tek ajo që tha Ditmir Bushati, është përpiluar në Ministrinë e Jashtme, dhe u është dërguar një numri ambasadash në rajon. Përse bën fjalë? Duhet t’ju jetë bërë lëkura shollë, nëse nuk keni fuqi të skandalizoheni: “Qarkorja ka për objekt librin ‘Kurban’ të Edi Ramës, dhe promovimet që ky i fundit i ka bërë librit të vet në disa shtete fqinje”. Bushati nuk e bëri publike përmbajtjen e qarkores, por merret me mend.

Ministri i Jashtëm e mohoi këtë fakt; madje, ai u kërkoi deputetëve të opozitës që ta publikojnë këtë qarkore, gjë që do të thotë se ai “nuk ndihet pjesë e kësaj loje të ndyrë, ku resurset e energjitë e diplomacisë nacionale e shtetërore shfrytëzohen për të goditur opozitën” (aty u tha se këtë e kanë bërë “zonjat e Berishës në këtë dikaster”). Është e vërtetë kjo gjë? Duket se po. Opozita nuk ka në duar një kopje të qarkores, por nga brenda janë të sigurt se një qarkore e tillë ekziston. Ministri do bënte mirë ta bënte vetë një verifikim të tillë (në mënyrë që të jetë krejt jashtë lojës), pasi nesër, nëse kjo qarkore del në dritë, ministri do të mbetet ligsht.

Por deri “nesër”, ministri bën mirë ta dijë se diplomacia ka dalë qoftë nga binarët e ligjit (në lëmin e emërimeve), qoftë nga binarët e deontologjisë (kjo qarkore turpëron çdo diplomat të botës).

Gazeta “Shqip”

Top Channel