150 studentët stomatologë të porsadiplomuar janë të parët që do të testohen për provimin e shtetit, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

75 studentët, të regjistruar më parë pranë Urdhrit të Mjekut do të zhvillojnë të hënën provimin e shtetit pranë ambienteve të Agjencisë Kombëtare të Provimit të Shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të kryejë testin të martën më 17 janar.

Ndërsa ditën e mërkurë nisin provimet e shtetit për kandidatët farmacistë. Nga data 18 janar deri në datën 25 janar, rreth 540 studentë të diplomuar në degën e Farmacisë do të testojnë njohuritë e tyre, dhe pas kalimit me sukses të provimit, kanë të drejtë të marrin licencën për të kryer aktivitetin privat në profesionin e tyre.

Sipas Urdhrit të Farmacistëve, pjesa më e madhe e studentëve që kanë preferuar të testohen që në fazën e parë të provimit të shtetit, vijnë nga universitetet private.

Data 26 janar është caktuar si dita e testimit të mjekëve të përgjithshëm. Urdhri i Mjekut ka njoftuar zyrtarisht se janë 108 studentë të diplomuar në mjekësinë e përgjithshme që do të zhvillojnë provimin e shtetit.

Sipas Ministrisë së Arsimit, në datën 27 janar do te zhvillohet provimi për profesionin e mamisë, me 30 janar për infermierinë, dhe më 7 shkurt për fizioterapinë.

Këtë vit, provimi i shtetit do të zhvillohet në dy faza, provimi i teorisë dhe ai i praktikës. Të rinjtë që tashmë e kanë marr dëshminë e praktikës do t′i nënshtrohen vetëm provimit të teorisë, ndërsa pjesa tjetër do duhet të jap provimin e praktikës në muajin mars.

Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Agjensisë Kombëtare të Provimeve, dy herë në ditë nga ora 10:00 deri në 14:00.

Top Channel